Tensionet në Hormuz dhe bllokada amerikane, shkarkohet nga detyra sekretari i marinës së SHBA
Një histori thellësisht prekëse vjen nga Britania, ku një grua 56-vjeçare ka vendosur t’i japë fund jetës së saj përmes eutanazisë së asistuar në Zvicër.
Bëhet fjalë për Wendy Duffy, e cila, megjithëse fizikisht e shëndetshme dhe mendërisht e aftë, ka marrë këtë vendim pas humbjes tragjike të fëmijës së saj të vetëm në një aksident.

Në një rrëfim për Daily Mail, ajo shprehet se jeta e saj ka humbur kuptimin pas kësaj ngjarjeje, duke përshkruar një dhimbje të vazhdueshme dhe një boshllëk që nuk mund të mbushet. Pas një viti reflektimi dhe përpjekjesh për ta përballuar situatën, ajo thotë se ka marrë një vendim të ndërgjegjshëm dhe përfundimtar. “Dua të vdes dhe kjo është ajo që do të bëj. Jeta ime, zgjedhja ime”, është shprehur ajo.

Sipas raportimeve, Wendy ka informuar familjarët për qëllimin e saj, por pa zbuluar detaje mbi kohën e udhëtimit, për t’i mbrojtur nga pasojat e mundshme ligjore në Mbretërinë e Bashkuar. Kërkesa e saj është shqyrtuar nga klinika zvicerane Pegasos, ku një komision i përbërë edhe nga psikiatër ka dhënë miratimin pas një procesi të gjatë vlerësimi dhe shqyrtimi të historisë së saj mjekësore.
Raportohet gjithashtu se ajo kishte tentuar më parë t’i jepte fund jetës, pa sukses, çka e ka shtyrë të kërkojë një procedurë të kontrolluar dhe ligjore jashtë vendit. Klinika në fjalë funksionon si organizatë jofitimprurëse, ku pacientët mbulojnë kostot e trajtimit dhe procedurave përkatëse.
Wendy ka zgjedhur ta ndajë historinë e saj publikisht pak para udhëtimit, duke e përshkruar vendimin si një zgjedhje të vetëdijshme, të marrë pas një procesi të gjatë reflektimi personal.
Top Channel