BE sanksione të reja Rusisë, situata drejt ndalimit total i tregtimit të naftës ruse

23/04/2026 20:45

Bashkimi Europian miraton paketën e 20 të sanksioneve ndaj Rusisë, pasi Hungaria dhe Sllovakia hoqën veton e tyre pas zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje me Ukrainën lidhur me tubacionin e naftës Druzhba.

Paketa e re e sanksioneve ndaj Kremlinit godet të ardhurat nga energjia, ushtrinë, tregtinë dhe shërbimet financiare, përfshirë kriptovalutat.

Listës së masave kufizuese i shtohen sanksione më të ashpra ekonomike, duke shënjestruar sektorët kryesorë që nxisin luftën ndaj Ukrainës.

Megjithatë, elementi më i rëndësishëm i paketës – ndalimi i plotë i shërbimeve detare për cisternat që transportojnë naftë ruse – është lënë për momentin pezull, në pritje të një koordinimi me G7.

Masa e propozuar synon të ndalojë kompanitë europiane të ofrojnë shërbime si sigurimi, transporti detar apo akses në porte për anijet që transportojnë naftë bruto ruse.

Nisma për ndalimin e plotë është mbështetur fuqishëm nga Suedia dhe Finlanda, të cilat argumentojnë se kjo masë do të rriste kostot për sektorin energjetik rus, do të kufizonte përdorimin e dokumenteve të falsifikuara dhe do të lehtësonte kontrollin për kompanitë europiane.

Megjithatë, disa vende anëtare si Greqia dhe Malta kanë shprehur rezerva, duke paralajmëruar se një ndalim i tillë pa koordinim ndërkombëtar mund të dëmtojë ekonomitë e tyre, të rrisë konkurrencën nga vende si Kina dhe India, si dhe të forcojë të ashtuquajturën “flotë në hije” të Rusisë – anije që përdoren për të shmangur sanksionet perëndimore.

 

Top Channel