Trump dhe Netanyahu ndahen për Iranin, diplomaci apo luftë? Në një kohë kur Teherani nuk konfirmon negociatat me Uashingtonin, presidenti amerikan, Donald Trump, urdhëron marinën amerikane të qëllojë mbi anijet iraniane në Ngushticën e Hormuzit.
“Kam urdhëruar Marinën e Shteteve të Bashkuara të qëllojë dhe fundosë çdo anije, sado e vogël, që po vendos mina në ujërat e Ngushticës së Hormuzit. Nuk ka asnjë hezitim. Ne po e pastrojmë Ngushticën tani dhe urdhëroj që kjo të vazhdojë në nivel të trefishuar”.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shtoi se Shtetet e Bashkuara kanë kontroll të plotë mbi Ngushticën e Hormuzit, ndërsa vijoi sulmet ndaj Iranit, teksa tha se “ata nuk e dinë kush është udhëheqësi i tyre”, duke ngritur dyshime për përplasje të forta brenda vendit.
Sipas presidentit Trump, Teherani mezi po pret të bëjë një marrëveshje, duke shtuar se gjërat po funksionojnë mirë. Ndërkohë, Komanda Qendrore e SHBA-së tha se, që nga fillimi i bllokadës detare ndaj Iranit, kanë urdhëruar 33 anije të ndryshojnë kurs ose të rikthehen mbrapsht.
Paralajmërimeve të presidentit Donald Trump ju shtua edhe kërcënimi nga Izraeli, i cili tha se është i përgatitur për ta kthyer Iranin “në epokën e errët dhe të gurtë”. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, tha se ushtria izraelite po “pret dritën jeshile nga SHBA për të përfunduar eliminimin e dinastisë Khamenei”.
“Sulmi këtë herë do të jetë i ndryshëm dhe vdekjeprurës, me goditje shkatërruese në vendet më të dhimbshme – që do të trondisin dhe shembin themelet e Irani”, u shpreh ministri Katz.
Lëvizjet nga SHBA dhe Izraeli vijnë pasi Irani njoftoi se Republika Islamike ka marrë të ardhurat e para nga tarifat e vendosura anijeve që përdorin Ngushticën e Hormuzit dhe i ka depozituar në Bankën Qendrore të vendit.
Teherani kërcënoi gjithashtu se nëse do të tentohet një hapje me forcë e rrugës detare, “atëherë do të hapen portat e ferrit”, ndërsa njoftoi se parlamenti iranian dhe Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare po shqyrtojnë së bashku një plan për atë që e quajnë “kontroll sovran” mbi Gjirin e Hormuzit.
Top Channel