Manastiri i Kryeengjëjve në Derviçan është shpallur “Monument Kulture” Kategoria I.
Në bashkëpunim me DRTK Gjirokastër është realizuar shpallja e kishës si pasuri kulturore “Monument Kulture” i kategorisë së parë, si dhe përcaktimi i zonës së mbrojtur për konakët, duke garantuar mbrojtjen ligjore të të gjithë ansamblit.
“Një nga ansamblet më të rëndësishme shpirtërore dhe arkitekturore të zonës, në Derviçan të Dropullit me vlera të spikatura historike dhe identitare.
Kompleksi, i përbërë nga kisha dhe konakët, dëshmon traditën e ndërtimit në gur dhe organizimin e jetës monastike ndër shekuj”, shprehet ministri i Turizmit dhe Kulturës Blendi Gonxhe.
“Ndërhyrja e propozuar përbën ndërhyrjen e parë të plotë për ringritjen e konakëve, të cilët aktualisht janë në gjendje të degraduar. Ajo përfshin pastrimin, konsolidimin e muraturës dhe rindërtimin e elementeve tradicionale si çatitë, dyshemetë dhe strukturat prej druri.
Miratimi i projektit hap rrugën për nisjen e punimeve të zbatimit, të cilat synojnë rikthimin e funksionit dhe jetueshmërisë së manastirit, duke e kthyer atë në një hapësirë të gjallë për komunitetin dhe trashëgiminë kulturore, si dhe duke pasuruar iteneraret turistike të vendit.
Së bashku me kryebashkiakun e Dropullit Dhimitraq Toli dhe organizatat partnere po punojmë për shpëtimin, rijetëzimin dhe promovimin e objekteve e qendrave historike si dhe restaurimin e evokimin e vlerave kulturore përmes statuseve mbrojtëse që mobilizojnë financime projektesh e rimëkëmbje ekonomike lokale të qendrueshme”, thotë Gonxhe.
Top Channel