Në Ditën Ndërkombëtare të Mirëqenies Sociale, të shpallur nga OKB, Federata e Paqes Universale nderoi me titullin “Ambasadore e Paqes” gazetaren dhe moderatoren e lajmeve në TCH, Genta Popa Prodani, për përgjegjshmërinë e lartë publike në profesionin e saj dhe shembullin pozitiv në krijimin e një kulture paqeje.
“Ajo shënon tashmë mbi 30 vite kontribut të përditshëm televiziv, ku pjesa më e madhe lidhet me televizionin Top Channel, aty ku krijoi personalitetin e saj televiziv si moderatore e edicioneve kryesore të lajmeve, e ngjarjeve më të rëndësishme në vend, si dhe autore e shumë dokumentarëve televizivë mbi historinë, kulturën dhe artin shqiptar, duke u vlerësuar maksimalisht nga audienca për besueshmërinë dhe kompetencën profesionale”, thotë Federata e Paqes Universale.
“Ambasador për Paqen” është një vlerësim nderi i dhënë nga Federata e Paqes Universale individëve nga fusha të ndryshme që kontribuojnë në promovimin e paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe vlerave morale universale në shoqëri.
“Top Channel ka mundur të mishërojë gjithçka u tha këtu për paqen, teksa në politikat e tij editoriale, në mijëra orë transmetimesh, ka nxitur dialogun kombëtar dhe mbarëkombëtar të shqiptarëve. Ka nxitur gjithmonë klimën e harmonisë mes komuniteteve fetare dhe jo vetëm.
Ja dedikoj këtë çmim redaksisë sonë të lajmeve në Top Channel, gazetarëve aq shumë të përkushtuar pas së vërtetës, sepse unë mendoj që po, e vërteta sjell paqe.
Lajmi i drejtë, i saktë, i paanshëm dhe i balancuar, sigurisht është një kontribut i madh për paqen. Ju falënderoj shumë të gjithëve që më vlerësuat sot”, shprehet , Genta Popa Prodani.
Top Channel