Rriten tensionet në Ngushticën e Hormuzit, Trump paralajmëron: Bisedimet me Iranin në Pakistan mund të rifillojnë brenda 48 orësh

14/04/2026 22:49

Presidenti amerikan, Donald Trump, njoftoi se bisedimet në Pakistan me Iranin mund të rifillojnë shumë shpejt, brenda dy ditësh.

Në një intervistë për New York Post, ai u shpreh se zhvillimet mund të jenë të menjëhershme. “Duhet të qëndroni aty, sepse diçka mund të ndodhë në dy ditët e ardhshme”, tha Trump. Ai vlerësoi rolin e shefit të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, duke e cilësuar si “fantastik” në menaxhimin e bisedimeve. Sipas Trump, gjasat janë që negociatat të rikthehen shumë shpejt.

Por, nga ana tjetër, situata në Ngushticën e Hormuzit, pikën që mban peng negociatat mes palëve, vijon të jetë e tensionuar. Të martë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan se gjashtë anije tregtare janë detyruar të ndryshojnë drejtim dhe të kthehen në porte iraniane në Gjirin e Omanit. Sipas Komandës Qendrore të ushtrisë amerikane, në 24 orët e fundit asnjë anije nuk ka arritur të kalojë bllokadën.

Operacioni amerikan përfshin mbi 10 mijë trupa, përfshirë marinarë, trupa detare dhe forca ajrore, si dhe rreth 10 anije luftarake dhe dhjetëra avionë. Autoritetet theksojnë se bllokada zbatohet për të gjitha anijet, pa dallim, ndërsa lundrimi mbetet i lirë vetëm për ato që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit drejt porteve jo iraniane.

Top Channel