
Në një kohë kur bashkia më e madhe në vend, Tirana, ndodhet në ngërç për datën e zgjedhjeve, për shkak të pezullimit të 9 nëntorit nga Gjykata Kushtetuese pas ankimit të Erion Veliajt, qeveria sqaron edhe njëherë se vendimi për shkarkimin e tij ishte i drejtë.
Këtë të enjte, Këshilli i Ministrave i dërgoi Kushtetueses argumentet e shkarkimit të Veliaj si kryebashkiak.
“Këshilli Bashkiak Tiranë ka konstatuar se mosparaqitja në detyrë, në rrethanat e sipërcituara dhe për një periudhë më të gjatë se tre muaj, përbën shkak ligjor për të propozuar shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë. Fakti juridik i pamundësisë së paraqitjes në detyrë është fakt publik dhe vërtetësia e tij nuk mund të vihet në dyshim”, thotë Këshilli Bashkiak.
Gjithashtu, qeveria i sqaron Gjykatës Kushtetuese se ankimi i shkarkimit në këtë institucion nga Veliaj është i gabuar.
“Kundërshtimi i vendimit në Gjykatën Kushtetuese nuk mund të pezullojë efektet e tij, sepse Gjykata Kushtetuese nuk është kompetente për shkarkimin për shkaqe të tjera, përveç atyre të përcaktuara nga pika 1, e nenit 115, të Kushtetutës, dhe paraqitja e ankimit në Gjykatën Kushtetuese, në organin e gabuar për shqyrtimin e mjeteve ligjore të ankimit, nuk sjell efekte juridike”, shton më tej Këshilli Bashkiak.
Qeveria thekson se Këshilli Bashkiak e propozoi shkarkimin e Veliajt, pasi mungesa e tij shkaktoi dëm të rëndë të nevojave të qeverisjes së kryeqytetit. Pas pezullimit të dekretit të Presidentit Begaj nga Gjykata Kushtetuese, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pezulloi përgatitjet zgjedhore në kryeqytet, por socialistët nga ana e tyre vijojnë takimet në terren me kandidaten Ogerta Manastirliu.
Top Channel