Një kalim dikur sekret në Colosseo, i ashtuquajturi “Korridori i Komodusit” – i emëruar sipas perandorit famëkeq romak – është hapur për publikun për herë të parë.

Korridori u lejonte perandorëve të hynin diskret në arenë, pa qenë pranë spektatorëve. Koloseu u përfundua në vitin 80 pas Krishtit dhe kalimi sekret konsiderohet një shtesë ndaj dizajnit origjinal.

Korridori dikur sekret u zbulua në shekullin e 19-të dhe ishte i lidhur me Perandorin Komod sepse, sipas historianëve, ai i mbijetoi një atentati në një tunel nëntokësor. “Lidhja ishte e pashmangshme”, tha për Reuters arkeologia Barbara Nazzaro, e cila mbikëqyri punimet e restaurimit përpara se korridori të hapej për publikun.

Dekorime prej gipsi që përshkruanin skena mitologjike, duele dhe akrobaci në arenë ishin shtuar në muret e mermerit.

“Ky pasazh tani është i hapur për publikun për herë të parë. Kështu që vizitorët do të jenë në gjendje të imagjinojnë se si ishte të ishe perandor”, tha Nazzaro.

FOTO GALERI
2/6

Top Channel