
Reperi i njohur kosovar, Betim Januzi – i njohur me emrin artistik Buta – ndodhet në paraburgim pas ngritjes së një aktakuze serioze ndaj tij për shitblerje të substancave narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Buta u arrestua më 11 shtator 2025 në Ferizaj, gjatë një aksioni policor. Pas ndalimit, Prokuroria Themelore në Ferizaj i kërkoi Gjykatës caktimin e masës së paraburgimit, e cila u miratua më 12 shtator dhe do të zgjasë deri më 10 tetor 2025.
Kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini, konfirmoi për “Betimi për Drejtësi” se reperi aktualisht ndodhet në qeli, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Ferizaj, Gentiana Hoxha, deklaroi se ndaj Butës është ngritur tashmë aktakuzë, ndërsa seanca e parë gjyqësore do të mbahet më 1 tetor 2025.
Ajo shtoi se masa e paraburgimit ishte e domosdoshme për të siguruar rrjedhën e procesit gjyqësor dhe për të shmangur tentativat për arratisje apo pengim të hetimeve.
Sipas Prokurorisë, më 11 shtator rreth orës 21:00, në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, reperi u kap në posedim të kokainës dhe marihuanës, pa leje ose autorizim ligjor. Gjatë kontrollit, policia gjeti gjithashtu armë pa leje, duke e rënduar pozitën e tij ligjore.
Autoritetet dyshojnë se substancat narkotike nuk ishin vetëm për përdorim personal, por të destinuara për shitje dhe shpërndarje, çka e bën çështjen edhe më të rëndë.
Procesi gjyqësor ndaj Butës pritet të tërheqë vëmendje të madhe publike, pasi bëhet fjalë për një nga emrat më të njohur të skenës muzikore në Kosovë./TAR
Top Channel