E papritur/ Ribashkohen Mateo dhe Brikena? Ish-banorët e Big Brother VIP vallëzojnë së bashku në skenën e Top Arenës
Rikthimi i shumëpritur i BTS në skenë ka sjellë jo vetëm entuziazëm te miliona fansa në botë, por edhe një valë mashtrimesh me bileta që ka prekur veçanërisht Azinë.
Fansat e grupit koreano-jugor, të njohur si “Army”, kanë humbur më shumë se 100 mijë dollarë duke rënë pre e personave që premtonin bileta të koncerteve të turneut të ri botëror.
Një prej tyre është Vevee, një fanse 26-vjeçare nga Indonezia. Pasi nuk arriti të siguronte bileta për koncertin e BTS në Xhakartë përmes kanaleve zyrtare, ajo gjeti një shitës në rrjetin social X dhe pagoi 1,200 dollarë për katër vende VIP. Pas pagesës, shitësi u zhduk dhe nuk iu përgjigj më mesazheve. “Menjëherë pasi dërgova paratë, ata u zhdukën. Ishte e tmerrshme”, tha ajo.

Turneu i rikthimit të BTS, i pari pas një pauze më shumë se trevjeçare, ka krijuar një garë të jashtëzakonshme për biletat. Në disa vende të Azisë, numri i personave që kërkonin bileta ishte rreth 15 herë më i madh se numri i vendeve të disponueshme. Për shkak të kërkesës së lartë, organizatorët kanë shtuar data të reja koncertesh, përfshirë shfaqje të tjera në Xhakartë dhe Filipine. Por presioni për të siguruar një vend ka bërë që shumë fansa të marrin vendime të nxituara dhe të blejnë bileta nga burime jozyrtare.
Në Singapor, policia ka marrë dhjetëra ankesa për mashtrime me biletat e BTS, me humbje që kalojnë 68 mijë dollarë singaporianë. Në Tajlandë, më shumë se 100 fansa kanë kërkuar ndihmë pasi paguanin persona që premtonin se do t’i ndihmonin të siguronin vende të mira.

Mashtruesit përdornin profile që dukeshin të besueshme, me ndjekës dhe komente pozitive, për të bindur viktimat. Në disa raste, ata përdornin edhe dokumente false si “prokura” për të krijuar përshtypjen se transaksioni ishte i ligjshëm.
Kompania e shitjes së biletave Ticketmaster ka deklaruar se po përdor masa të reja kundër robotëve dhe rishitësve të paligjshëm. Fansave u është kërkuar të blejnë bileta vetëm përmes platformave zyrtare dhe të shmangin ofertat në rrjetet sociale. Megjithatë, për shumë fansa, dëshira për të parë BTS pas vitesh pritjeje është më e fortë se frika nga mashtrimet. “Ne nuk po luftojmë vetëm për një biletë. Po përpiqemi të shohim shtatë persona që kemi mbështetur prej vitesh”, shkroi një fanse filipinase.
Turneu i ri i BTS pritet të zgjasë deri në vitin 2027 dhe të përfshijë 34 qytete në mbarë botën. Kthimi i grupit ka sjellë një nga valët më të mëdha të kërkesës për bileta në historinë e muzikës pop koreane.
Top Channel