Foto/ U dënua me burgim të përjetshëm për një “budallallëk”, 23-vjeçarja do kalojë jetën në ‘Alkatrazin e Dubait’

06/09/2025 11:09

Një vajzë britanike po përjeton kushte tmerruese në një nga burgjet më famëkeqe të Dubait, pasi u dënua me burgim të përjetshëm pas një “gabimi shumë të marrë”.

Mia O’Brien, 23 vjeç nga Liverpuli, sipas raportimeve ndodhet në burgun Al-Awir, i cilësuar shpesh si “Alkatrazi i Dubait”, ku akuzat për tortura elektrike, përdhunime të përditshme dhe mohimin e ilaçeve për të sëmurët kanë tronditur opinionin publik ndër vite.

Familja e saj e shokuar konfirmoi se Mia është mbyllur në të ashtuquajturin “qendër burgu”, duke përjetuar realitetin e rëndë të sistemit penal të Emirateve. Burgjet e Dubait prej kohësh janë kritikuar nga ish-të burgosur dhe organizata ndërkombëtare për trajtime çnjerëzore dhe dhunë sistematike.

Raportet nga ish-të burgosur përshkruajnë një mjedis brutal: qelitë ku mbretërojnë bandat e dhunshme, rrahje të vazhdueshme, abuzime seksuale, tortura elektrike dhe urie të qëllimshme. Disa ish-të dënuar kanë rrëfyer se u detyruan të pinin ujë nga tualetet e përbashkëta, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë mbetur pa trajtim mjekësor edhe pse ishin të sëmurë me HIV.

Autoritetet e Dubait i kanë mohuar gjithmonë këto akuza, por rrëfimet e ish-të burgosurve britanikë si Karl Williams dhe Albert Douglas tregojnë për një realitet tjetër: njerëz të varur përmbys dhe të rrahur për “sport”, të moshuar të lënë të ngordhin nga uria dhe madje edhe raste makabre si djegia e organeve gjenitale të një të burgosuri.

Mia përballet edhe me kufizime ekstreme në komunikim: vizitat lejohen vetëm një herë në javë, të mërkurave, shpesh anulohen pa paralajmërim dhe telefonatat duhet të aprovohen individualisht nga rojet. Edhe ushqimi është minimal, kryesisht oriz, ndërsa uji i rubinetit konsiderohet i pasigurt.

Ndërkohë që nuk është bërë publik ende se për çfarë akuze saktësisht është dënuar 23-vjeçarja britanike, ligjet e ashpra të Emirateve të Bashkuara shpesh japin dënime kapitale për raste që variojnë nga posedimi i drogës deri tek trafikimi, vrasja apo veprat me motiv terrorist.

Rasti i saj po ngjall sërish debat mbi sekretet e errëta të sistemit të burgjeve në Emiratet e Bashkuara, ku akuzat për tortura dhe abuzime janë të përsëritura, por zyrtarisht mohohen nga autoritetet.

FOTO GALERI
3/5

Top Channel