Putin feston fitoren ndaj Gjermanisë naziste me 20 udhëheqës në Moskë, shihni paradën ushtarake pranë Kremlinit

09/05/2025 09:35

Presidenti rus Vladimir Putin do t’u drejtohet trupave dhe udhëheqësve nga rreth 20 vende të mbledhur në Sheshin e Kuq të Moskës, me rastin e 80-vjetorit të fitores ndaj Gjermanisë naziste.

Kjo festë, që për të katërtin vit radhazi zhvillohet në hijen e luftës në Ukrainë, kulmon me një paradë të madhe ushtarake pranë Kremlinit.

Me rastin e këtyre përkujtimoreve, presidenti Putin ka urdhëruar një armëpushim që zgjat nga 8 deri më 10 maj. Megjithatë, Ukraina ka akuzuar Rusinë për qindra shkelje të këtij armëpushimi përgjatë gjithë vijës së frontit. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, autoritetet lokale në rajonet Kherson dhe Dnipropetrovsk njoftuan për plagosjen e dy civilëve nga sulmet me dronë rusë.

Pavarësisht këtyre pretendimeve, ushtria ruse ka deklaruar se po “respekton me rigorozitet” armëpushimin dhe se vetëm po “përgjigjet” ndaj shkeljeve të Ukrainës. Presidenti amerikan Donald Trump, nga ana e tij, ka bërë thirrje për një “armëpushim të pakushtëzuar” për 30 ditë.

Pjesëmarrje e gjerë ndërkombëtare në paradën ruse

Në paradën e Moskës do të marrin pjesë udhëheqës nga rreth njëzet vende, përfshirë presidentin e Kinës, Xi Jinping dhe homologun e tij brazilian Luiz Inácio Lula da Silva, si dhe liderët e disa prej aleatëve më të ngushtë të Rusisë, përfshirë Kazakistanin, Bjellorusinë, Vietnamin, Armeninë, Kubën dhe Venezuelën. Po ashtu, pritet të jenë të pranishëm kryeministri sllovak Robert Fico, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik, lideri serb i Bosnjës, i cili aktualisht është i kërkuar nga drejtësia boshnjake.

Në kontrast, udhëheqësit perëndimorë kanë munguar në këtë event, duke mbështetur më shumë përpjekjet për ndëshkimin e agresionit rus. Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaia Kalas, njoftoi se Kievi dhe aleatët e tij do të miratojnë sot krijimin e një gjykate të posaçme për të ndjekur penalisht “krimet e agresionit rus”.

Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar ka shpallur sanksione të reja ndaj asaj që e përshkruan si “flota fantazmë” e Rusisë, që përdoret për të eksportuar naftë dhe gaz në shkelje të embargos perëndimore.

Tensionet në rritje mes përkujtimit dhe realitetit të luftës

Rrugët e Moskës janë zbukuruar me ngjyrat kombëtare dhe posterë që i nxisin qytetarët të “kujtojnë” fitoren e vitit 1945 dhe të ndjehen “krenarë”. Kjo festë patriotike ka një rëndësi të veçantë në Rusi dhe republikat e tjera ish-sovjetike, duke rikujtuar sakrificat masive të Luftës së Dytë Botërore, në të cilën Bashkimi Sovjetik humbi mbi 20 milionë njerëz.

Putini ka përdorur vazhdimisht këtë trashëgimi historike për të justifikuar agresionin ndaj Ukrainës, duke e paraqitur si një mision për “denazifikimin” e vendit fqinj, ku Rusia mban aktualisht nën kontroll rreth 20% të territorit.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka quajtur paradën e Moskës një “paradë gënjeshtrash”. Ai dhe udhëheqësit perëndimorë kanë kritikuar ashpër përpjekjet e Kremlinit për të përvetësuar kujtimin historik për qëllime propagandistike.

Masa të rrepta sigurie dhe pjesëmarrje e kufizuar në rajone të tjera

Për shkak të frikës nga sulmet ukrainase, disa rajone ruse, përfshirë Krasnodarin në jugperëndim, kanë anuluar paradat lokale. Megjithatë, autoritetet në Moskë kanë siguruar se janë marrë “të gjitha masat e nevojshme” për të garantuar sigurinë e ceremonisë, përfshirë kufizime të aksesit në internet dhe përdorimin e sistemeve kundër dronëve.

Në paradën në Sheshin e Kuq do të marrin pjesë edhe ushtarë nga 13 vende të tjera, përfshirë Kinën, Vietnamin, Burmën dhe Egjiptin. Gjatë një takimi të zhvilluar dje në Kremlin, Putin dhe Xi Jinping shprehën unitetin e tyre kundër asaj që e përshkruan si “hegjemoni perëndimore”.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta