Ndryshe nga të tjerët para tij, Papa Leoni XIV është tifoz i këtij sporti të njohur: Mezi pres të rikthehem në fushë

09/05/2025 16:14

Roma ka qenë në qendër të vëmendjes botërore këtë javë, jo vetëm për turneun prestigjioz të tenisit Internazionali BNL d’Italia, por edhe për një ngjarje historike në Vatikan: përzgjedhjen e Papës së ri.

Pas ndarjes nga jeta të Papa Françeskut më 21 prill, mbi 100 kardinalë nga e gjithë bota u mblodhën në Vatikan për konklavin që do të caktonte pasardhësin e tij. Dhe më në fund, tymi i bardhë doli nga Kapela Sistine – një sinjal i qartë se Kisha Katolike ka një udhëheqës të ri: Kardinali Robert Prevost, nga Çikago, i cili mori emrin Papa Leoni XIV.

Papa i ri është një figurë e njohur për përkushtimin e tij fetar, por gjithashtu ka tërhequr vëmendjen me një pasion jo të zakonshëm për një Papë – tenisin. 69-vjeçari, që ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në shërbim në Peru, është vetëshpallur si “tenist amator”, ndërsa në një intervistë të vitit 2023 ka pranuar se mezi pret të rikthehet në fushë:

“Që kur u largova nga Peruja, kam pasur pak raste për t’u stërvitur, kështu që mezi pres të kthehem në fushë (qesh). Jo se kjo punë e re më ka lënë shumë kohë të lirë deri më tani,” u shpreh ai me humor.

Tifoz i skuadrës së bejsbollit Chicago Cubs, Papa Leoni XIV pritet të sjellë një frymë të re në Vatikan, duke kombinuar traditën me pasione më personale.

Zgjedhja e tij u prit me interes edhe në ambientet sportive. Në Foro Italico, ku po zhvillohet turneu i Romës, lajmi u ndoq me vëmendje nga ekrane të shumta, ndërsa disa nga yjet e tenisit, përfshirë Coco Gauff dhe Iga Swiatek, shprehën kuriozitetin e tyre për konklavin dhe udhëheqësin e ri të Kishës Katolike.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta