
Banka e Shqipërisë ka vendosur kufizime për kredinë që mund të marrin qytetarët për të blerë shtëpi.
Në konferencën për politikën monetare, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se do të vendoset një tavan për kredinë për shtëpi.
“Vendosëm një tavan për kredinë që do të marrin qytetarët për të blerë shtëpi. Kemi vënë tavan për këstin e kredisë. Maksimumi i huasë në lekë do të jetë 85% për shtëpinë e parë dhe 80% për shtëpinë e dytë. Në valutë të huaj vlera e kredisë do të jetë 75% për shtëpinë e parë dhe 70% për shtëpinë e dytë. Është më e ulët për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit. Kësti ndaj të ardhurave si raport do të jetë në nivelin 40% për monedhën lekë dhe 35% për monedhën në valutë të huaj. Ndërsa për shtëpinë e dytë raporti do të jetë kësti i kredisë jo më shumë se 35% e totalit të të ardhurave dhe për kredinë në valutë sa 30% e totalit të të ardhurave”.
Guvernatori u ndal edhe tek ecuria ekonomike e vendit, për të cilën deklaroi se mbetet në të njëjtat ritme si e njëjta periudhë e një viti më parë. Ndërsa vlerëson se inflacioni mbetet i rrezikuar nga disa faktorë.
“Punësimi e pagat pritet të vijnë në rritje, duke rritur mirëqenien e familjeve. Rritja e ekonomisë pritet të mbetet e qëndrueshme dhe pranë potencialit, çka do të mundësojë një nivel presionesh të brendshme inflacioniste në linjë me objektivin”.
Ne konferencën për politikën monetare, Banka e Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin e 2.75%
Top Channel