
Kancelari i ri gjerman, Friedrich Merz, e nisi mandatin e tij me rikthimin e aleancës franko-gjermane.
Vizita e tij e parë ishte në Elize, ku u prit nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Vizita e parë ndërkombëtare në Paris është një shprehje e qartë e dëshirës për të rigjallëruar aleancën, e cila ishte dobësuar vitet e fundit. Pas takimit, presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi krijimin e një “Këshilli franko-gjerman për Mbrojtje dhe Siguri”.
“Ne do të krijojmë një këshill mbrojtjeje dhe sigurie franko-gjerman që do të takohet rregullisht për të sjellë përgjigje operacionale ndaj sfidave tona të përbashkëta strategjike”, tha Macron.
“Të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian duhet të rrisin shpenzimet e tyre për mbrojtjen, për të mbuluar boshllëqet në kapacitetet e bllokut dhe për të siguruar mbështetje të vazhdueshme për Ukrainën. Vetëm në këtë mënyrë mund të mbyllim gradualisht boshllëqet tona të kapaciteteve dhe të mbështesim kolektivisht Ukrainën”, tha kancelari i ri gjerman.
Kjo aleancë po rindërtohet për të forcuar mbrojtjen e Evropës, mes luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe dyshimeve mbi angazhimet e sigurisë së SHBA-së ndaj Evropës.
Në Paris, njëkohësisht mbërriti edhe ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, i cili u prit nga ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Noël Barrot.
Top Channel