
Familjet që kanë një fëmijë me çrregullime të spektrit të autizmit përveç saj kanë një problem edhe më të madh kur ai mbush 18 vjeç.
Në këtë moshë nëse ka përfituar një pagesë kempi kjo hiqet, dhe jo vetëm kaq por për ta nuk ka asnjë qendër përkujdesje.
“Hiqet kempi, ngelen pa asnjë përkujdesje. Vetëm familja i mbështet, nuk ka struktura”, shprehet Mimoza Bendo.
Zonja Bendo është përkushtuar plotësisht ndaj të biri që sot është 21 vjeç dhe ka munduar edhe ta shkollojë por një tjetër sfidë është punësimi i këtyre të rinjve.
“Shteti e ka me ligj që një ndërmarrje çdo 25 vetë duhet të punësojë një me aftësi të kufizuara, por nuk e zbaton”, shton Bendo.
E ndërkohë që nevoja për të ardhura financiare rritet për të mbështetur fëmijën me terapi ato pakësohen menjëherë pas diagnozës pasi një nga prindërit heq dorë nga puna duke u përkujdesur për fëmijën. Nënat e më fëmijë me çrregullime të spektrit kanë depozituar në Kuvend një letër ku kërkojnë lehtësira.
“Të na njihet përkujdesja për pension. Me çfarë do ushqehemi? Kërkojmë të punojmë më orë të shkurtuara”, thotë më tej ajo.
Duke qenë se vetëm familja kujdeset për këta persona çfarë ndodh kur ata moshohen dhe kërkojnë përkujdesje për vete?
Top Channel