
Partia Demokratike ka nënshkruar një kontratë lobimi 250 mijë dollarësh në muaj, për dy vjet me një firmë në Uashington DC, e cila në 24 muaj do të kushtojë në total 6 milionë dollar.
Kontrata që tashmë është publikuar në media, jep edhe serinë e detajeve se çfarë ka negociuar numri 2 i PD, Flamur Noka dhe kompania Continental Strategy dhe ish këshilltarit të presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të ‘Continental Strategy’.
Një prej drejtuesve në kompani është edhe Katie Wiles, vajza e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump në 2024, bashkëpunëtore e ngushtë e Chris LaCivita. Selia blu tha zyrtarisht dje se nuk do ta paguajë vetë partia, por nga fondacioni “Make Albania Great Again”, një organizatë e krijuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan.
Analisti Kreshnik Spahiu ka shpjeguar në “Top Story” se çfarë shkeljesh ka kryer Partia Demokratike në këtë rast.
“Një parti politike në Shqipëri nuk mund të financohet nga ente të huaja. ‘Make Albania Great Again’ është një subjekt që financohet nga SHBA.
E dyta është që nuk mund të marrësh jo më shumë se 10 mijë dollarë nga jashtë.
Financimi total që një parti politike të marrë nga subjekte private, nuk mund të kalojë 5 herë shumën e marrë nga shteti.
Ka dy përgjegjësi. Administrative dhe penale. Përgjegjësia administrative, në bazë të kodit zgjedhor, partia që ka kaluar kufijtë gjobitet me 500 mijë lekë të reja. Nëse PD nuk tërhiqet nga kjo kontratë, quhet përgjegjësi penale dhe dënohet deri në 6 muaj burg. PD deri tani është në kushtet e një përgjegjësie administrative.
Po ju marr çështjen e Lulëzim Bashë. Për Bashën, prokuroria ka pushuar çështjen se nuk ka pastrim parash, sepse pastrimi i parave është që ti blen të mira materiale dhe pastron paratë e marra në rrugë të pista. Një fotografi me Trump nuk përbën vepër penale ka arsyetuar prokuroria”, thotë Spahiu.
Top Channel