“E vërteta e vizitës së Ivanka Trump në Vlorë”/ Rama zbulon çfarë po negociohet për Sazanin: Ishulli nuk do të shitet, Zvërneci është pronë private

11/09/2026 19:45

Vizita e Ivanka Trump në Vlorë disa muaj më parë, së bashku me një grup inxhinierësh, ishte një nga momentet ku u ndal kryeministri Edi Rama teksa foli për projektet turistike në Sazan dhe Zvërnec.

Në intervistën me Rudina Xhungën në podkastit e tij “Flasim”, Rama tha se vizita ishte publike, por sipas tij u pasua nga spekulime mbi projektet.

“Ivanka Trump ishte në Vlorë disa muaj më parë me një grup inxhinierësh, doli kudo, kishte pozitivitet nuk pashë njërin të thoshte po kjo këtu ç’do, ajo fraza mori dhenë, po nuk është se mësoi gjë publiku nga kjo, prapë publiku spekuloi, ku morën pjesë edhe media të mëdha, ku ishte e pamundur të vendosje të vërtetën si pjesë të gjësë. Nuk thash që e kanë mediat ndërkombëtare fajin. Po përpiqem të tregoj të gjithën të parë nga këndvështrimi im, por fakti është që janë gënjeshtra të papara që përsëriten”, tha kryeministri.

Kryeministri sqaroi se Sazani dhe Zvërneci janë dy projekte të ndryshme me të njëjtët investitorë: Sazani është pronë shtetërore, ndërsa Zvërneci pronë private.

Për Sazanin, Rama tha se nuk ka ende asnjë kontratë, por vetëm negociata, të cilat vijojnë prej vitesh. Ai mohoi mundësinë e shitjes së ishullit, duke deklaruar se investitorët nuk kanë kërkuar ta blejnë dhe se Sazani do të mbetet pronë shtetërore. Sipas tij, nga 560 hektarët e ishullit, negociatat po zhvillohen për rreth 8% të sipërfaqes, ose afërsisht 45 hektarë.

“E para një herë, s’ka si të ketë shitje. Sazani është nën negociata, prej vitesh. Ne negociojmë me palën tjetër, për si do të ndërtohet bashkëpunimi me Sazanin, ne i kemi vënë disa kufij, Sazanin nuk kanë kërkuar asnjëherë ta blejnë. Nuk ka asnjë kontratë sot që flasim, ka vetëm negociata. Sazani nuk është një thesar që ka kontabilitet, është një territor i cili është shumë i bukur por edhe problematik. Sazani është zonë e minuar, aty duhet të bëhet çminim. Në Sazan nuk ka ujë, nuk ka drita. Kjo nuk e bën Sazanin një aset të padiskutueshëm. Dua të theksoj se qoftë paraardhësi im, qoftë Fatosi, kanë dashur të sjellin investitorë”, vazhdoi Rama.

“Në Zvërnec kemi një histori tjetër, që është histori disavjeçare dhe faktikisht sot jemi në pritje të një projekti, pasi ne kemi refuzuar projektin e parë. Ne presim që të vijë projekti për Zvërnecin, ndërkohë për Sazanin nuk kemi mbaruar akoma negociatat, sepse Zvërneci është privat dhe Sazani është tokë shtetërore dhe do të mbetet shtetërore”.

Top Channel