Turistët preferojnë artizanët! Pazari i Krujës mes sfidës për të shtuar produktet e për të ruajtur traditën

25/04/2025 16:10

Pazari i Krujës është një nga destinacionet turistike më të vizituara në vend.

Gjatë gjithë vitit, ai tërheq një numër të madh vizitorësh, vendas e të huaj.    

“Jam nga Kina. Është shumë bukur këtu. Më pëlqejnë malet, qyteti i vjetër dhe kalaja. Do të qëndrojmë në Shqipëri 9 ditë”, shprehet një turiste nga Kina.

“Jam nga Holanda. Sapo kemi mbërritur dhe vizituam Pazarin e Krujës, është autentik”, thotë një turiste nga Holanda.

“Jemi me pushime dhe po e shijojmë. Vend shumë i këndshëm, natyra, fshatrat, njerëzit. Jemi vërtet të kënaqur”, tregon një tjetër turist.

“Është dita jonë e parë në Shqipëri, ma rekomanduan 2 kolegë të mi qe kanë qenë në Shqipëri vitin e kaluar”, thotë një turist nga Holanda.

Në dyqanet karakteristike prej druri, gjen një shumëllojshmëri produktesh artizanale të punuara me dorë, por edhe mallra industriale. Artizanët që kanë mbetur përpiqen të ruajnë dhe të përcjellin traditën, por sfidat janë të shumta.

“Në Pazar ka ende artizanë të vjetër, por të rinjtë nuk vijnë. Motrat e mia bëjnë qilima leshi, ndërsa unë punoj me tezgjah, qëndis kostume popullore dhe mbulesa tavoline”, rrëfen artizania Makbule Kaçiu.

“Këto janë prodhime të qytetit tonë. Prodhohen në shtëpi dhe dikur bëheshin te ndërmarrja Artistike. Tani bëhen vetëm në shtëpi nga artizanët e Krujës. Ka interes për to, pasi është instrumenti ynë popullor”, thotë Bardhyl Vena, ish-punonjës i Artistikes Krujë.

Edhe pse interesi i turistëve për punimet tradicionale është në rritje, shqetësimi i artizanëve lidhet me te ardhmen e këtyre mjeshtërive që rrezikojnë të shuhen.

“Ky është një byzylyk floriri. Nuk ka zanat më të bukur se ky. Ja kjo bluzë, me copë të hershme të nënave tona, qëndisur me shumë detaje”, shton Makbule Kaçiu.

“Do të ishte mirë që shteti të na ndihmonte. Do të kishte vlerë nëse artizanët prodhonin këtu në dyqan, jo në shtëpi. Kur turistët i shohin duke punuar, i vlerësojnë edhe më shumë”, thotë Bardhyl Vena.

Në këtë situatë, artizanët e Krujës kërkojnë më shumë mbështetje nga shteti për të ruajtur dhe zhvilluar zanatet tradicionale.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta