Albulena Haxhiu nuk arriti të zgjidhet kryetare e Kuvendit as në tentimin e tretë, teksa u propozua sërish nga Lëvizja Vetëvendosje.

Korrespondentja e Top Channel, Leonita Bajrami raporton se me 57 vota pro, 46 kundër dhe 3 abstenime, kandidatura e saj nuk siguroi shumicën e nevojshme. Seanca u ndërpre dhe pritet të vazhdojë të premten në orën 10:00.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, reagoi ashpër ndaj mënyrës sesi po zhvillohen përpjekjet për të zgjedhur kryeparlamentaren. Ai deklaroi se seanca është e kotë nëse nuk ka marrëveshje politike paraprake.

“Është e pakuptimtë që një parti me 48 deputetë nuk arrin të sigurojë votat e mjaftueshme”, tha Abdixhiku. Ai shtoi se për LDK-në është e qartë se me gjuhën aktuale politike nuk mund të arrihet kompromis.

“Kemi qenë të qartë dhe mbetemi të bindur se partia e parë duhet të ofrojë një kandidat konsensual, jo dikë që lexon skriptet partiake. Nuk kemi një kandidat konsensual, sepse nuk jemi fare në tavolinën e diskutimit. Ata që janë të gatshëm për kompromis, le të ulen e të diskutojnë,” theksoi ai.

Propozimi i radhës nga Glauk Konjufca, në emër të Vetëvendosjes, ishte sërish Albulena Haxhiu. Ai i bëri thirrje deputetëve që ta votojnë për t’i dhënë fund bllokadës institucionale.

Kundër kandidaturës votuan LDK, AAK dhe PDK, ndërsa NISMA abstenoi. Lista Serbe nuk mori pjesë në votim, duke shtuar më tej paqartësinë për të ardhmen e krijimit të institucioneve të reja.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta