
Qytetarët e Kosovës shprehen të zhgënjyer me partitë politike pas dështimit për konstituimin e parlamentit në seancën e 15 prill, që duhet t’i hapte rrugën krijimit të qeverisë së re.
Ata e shohin fajin tek të gjithë palët, teksa insistojnë të arrihet ndonjë marrëveshje për kapërcimin e ngërçit.
Më 15 prill, legjislatura e nëntë nuk arriti të miratonte raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit. Kjo, pasi Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kërkuan nga anëtarët e Qeverisë në detyrë, që janë zgjedhur deputetë, të ofrojnë dorëheqje formale nga postet ekzekutive.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po atë ditë përmes një letre njoftoi Kuvendin se ai kishte dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit.
Megjithatë, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja, argumentuan se dorëheqjet duhet të ishin paraqitur më herët, në bazë të Ligjit për Qeverinë – që thotë se dorëheqjet duhet të dorëzohen një ditë para certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, që u bë më 27 mars – dhe nënvizuan se ata nuk mund të shkonin në seancë për të bërë betimin si deputet, duke mbajtur poste ekzekutive.
Top Channel