
Greqia për herë të ka publikuar një hartë të Planifikimit Hapësinor Detar për zonat në Egje, në Kretë dhe në Jon, siç bëjnë me dije Ministria e Mjedisit dhe ajo e Punëve të Jashtme.
Sipas deklaratës për shtyp nga këto ministri ky është një përparim i rëndësishëm strategjik në organizimin hapësinor të vendit, pasi për herë të parë shteti përcakton dhe harton një plan të plotë dhe të institucionalizuar për organizimin e deteve greke dhe përdorimin dhe aktivitetet që mund të zhvillohen në të gjitha zonat detare, duke ushtruar të drejtat e parashikuara nga Ligji Ndërkombëtar i Detit dhe Direktiva 2014/89/BE.
Strategjia ofron një përgjigje gjithëpërfshirëse ndaj detyrimit që lindi pas vendimit gjyqësor ndaj Greqisë nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë shkurtin e kaluar dhe përfshin elementë thelbësorë për shelfin kontinental grek, si dhe për marrëveshjet e ZEE-së me Italinë dhe Egjiptin.
Qasja e miratuar është gjithëpërfshirëse , duke sintetizuar parametra shpesh kontradiktore – sociale, ekonomike, energjetike dhe mjedisore – për t’i shërbyer objektivave të tilla si: qëndrueshmërisë klimatike të mjedisit detar, zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe antikiteteve nënujore, sigurisë dhe transportin detar, shfrytëzimit të burimeve të energjisë, kultivimit të akuakulturës dhe forcimit të projekteve ndërkufitare me interes të përbashkët.
Strategjia vë theks të veçantë në bashkë-formulimin e prioriteteve për çdo rajon dhe në ndërveprimet tokë-det, përmes Kornizave të Planifikimit Hapësinor Detar.Aktivizimi i saj merr në këto momente një peshë gjeopolitike shtesë, pasi Turqia ka shprehur vazhdimisht kundërshtime ndaj çdo nisme greke që rregullon hapësirën detare në Mesdheun Lindor.
Strategjia pritet të funksionojë si një mjet i vlefshëm për planifikimin e politikave, diplomacisë dhe investimeve për detet e vendit, duke vendosur në mënyrë të dokumentuar sovranitetin dhe përgjegjësitë detare të Greqisë.
Çfarë konkretisht pasqyron harta:
Sipas shenjave të saj me dy vijat e para blu të pashkëputura përkufizohen kufijtë e shelfit kontinental sipas marrëveshjeve greko-italiane të 1977 dhe 2020 dhe kufijtë e Zonës Ekonomike Ekskluzive të marrëveshjes Greqi-Egjipt në gusht të 2020.
Vija e kuqe e shkëputura është vija e mesme që përcakton kufijtë e jashtëm të shelfit kontinental grek deri në përfundimin e marrëveshjeve të delimitimit me shtetet fqinje, brigjet e të cilëve janë ngjitur ose përballë brigjeve greke. Siç shihet kjo vijë shtrihet mes të tjerash në kufijtë me Turqinë, por edhe me Shqipërinë.
Me vijë kafe përcaktohet kufiri i zonës territoriale ose ujërat territoriale (legjislacioni kombëtar ekzistues, Protokolli greko-turk i vitit 1926, marrëveshja italo-turke dhe protokolli i vitit 1932, me rezervimin për një shtrirjeje të përgjithshme deri në 12 milje detare, në përputhje me Konventën e Ligjit të Detit që pasqyron të drejtën ndërkombëtare tradicionale).
Deklarata shoqërohet madje edhe me pyetje përgjigje nga ana e dy ministrive ku sqarohet se harta e Planifikimit Hapësinor Detar është një veprim i rëndësishëm pasi është hera e parë që pasqyrohet në një tekst rregullator zyrtar të BE-së kufijtë më të jashtëm të mundshëm të shelfit kontinental grek (d.m.th. ndikimi i plotë i kontinentit dhe ishujve në zonat detare).
Gjithashtu zonat detare të paraqitura në hartë përfshijnë marrëveshjet greko-italiane të përcaktimit të ZEE -së të viteve 1977 dhe 2020 dhe marrëveshjen greko-egjiptiane të vitit 2020, ndërkohë që ato përkojnë me kufijtë që rrjedhin nga Ligji 4001/2011.
Për sa i përket zonave të pacaktuara, vihet vija mesatare (vija e kuqe e shkëputur) që përcakton kufirin e jashtëm të shelfit kontinental grek, derisa të lidhen marrëveshjet e delimitimit me shtetet fqinje, brigjet e të cilëve janë ngjitur ose përballë brigjeve greke.
Në pyetjen në se kjo hartë përshkruan ZEE-në e Greqisë në të gjithë territorin grek (në detin Jon, detin Egje dhe Mesdheun Lindor) , përgjigja e dy ministrive është se procesi i përcaktimit të zonave detare ka një qëllim të ndryshëm nga planifikimi hapësinor detar, i cili ka të bëjë me procesin me të cilin autoritetet kompetente të shteteve anëtare analizojnë dhe organizojnë aktivitetet njerëzore në zonat e mësipërme detare për të arritur objektivat ekologjike, ekonomike dhe sociale.
Si rrjedhim, harta që përshkruan Planifikimin Hapësinor Detar Grek nuk përbën një përcaktim të ZEE-së.
Në se kjo hartë pasqyron apo jo zgjerimin e territorial grek të detit në 12 milje detare (në Egje dhe në Mesdheun Lindor) ,përgjigjja është se zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme e vendit që buron nga Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit. Është një e drejtë që Greqia rezervon për ushtrimin e saj kur dhe siç e sheh në interesin e saj kombëtar, bazuar në rregullat që rrjedhin nga e drejta ndërkombëtare.
Planifikimi Hapësinor Detar dhe specializimi i tij me hartë është regjistrim i aktiviteteve në të gjitha zonat detare të vendit, jo ushtrim i të drejtave sovrane, pasi sovraniteti nuk është çështje planifikimi, por paraekziston dhe nuk ndikohet prej tij, thuhet në deklaratë.
Athina zyrtare thekson gjithashtu se publikimi i kësaj harte , mbyll çështjet pezull nga e kaluara dhe mbron në praktikë interesat kombëtare. Ky fakt që mund të shkaktojë reagime nga Ankaraja , nuk do të thotë se Greqia braktis dialogun me Turqinë, pasi ajo dëshiron një klimë pozitive në marrëdhëniet me të bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe fqinjësinë e mirë përfundon deklarata.
Top Channel