Sulmet ndaj mediave dhe reporterëve në protestë, Asociacioni i Gazetarëve dënon klimën armiqësore dhe intimidimin

12/06/2026 22:59

Në protestat e mbajtura për të 13-ën ditë radhazi në kryeqytet, qytetarët kanë shfaqur shpesh pankarta kundër mediave dhe kanë sulmuar gazetarët të cilët kanë qenë në raportim.

Në lidhje me këtë situatë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë i cili u shpreh se liria e protestës dhe liria e medias nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Asociacioni shtoi se ato janë dy shtylla themelore të një shoqërie demokratike dhe duhet të mbrohen njësoj.

“Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ndjek me vëmendje zhvillimet e protestave qytetare që po mbahen në Tiranë dhe respekton plotësisht të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj institucioneve, qeverisë apo aktorëve të tjerë publikë e politikë.

Megjithatë, shqetësohemi nga shfaqja e pankartave dhe mesazheve që vendosin në shënjestër mediat, gazetarët apo punonjësit e mediave.

 Kritika ndaj linjave editoriale,  apo mënyrës së raportimit është një e drejtë legjitime në një shoqëri demokratike, por ajo nuk duhet të shndërrohet në stigmatizim kolektiv të ndaj medias apo në krijimin e një klime armiqësore ndaj tyre.

Gazetarët nuk janë kundërshtarë të qytetarëve. Ata kanë detyrimin profesional të raportojnë mbi zhvillimet, përfshirë protestat, pavarësisht kritikave që mund të kenë ndaj mënyrës se si mediat funksionojnë në Shqipëri.

Sulmet verbale, intimidimi apo thirrjet që synojnë delegjitimimin e medias si institucion dëmtojnë të drejtën e publikut për t’u informuar.

Liria e protestës dhe liria e medias nuk janë në kundërshtim me njëra-tjetrën. Ato janë dy shtylla themelore të një shoqërie demokratike dhe duhet të mbrohen njësoj”, thuhet në reagim.

Top Channel