Video/ E ngatërruan me Neymarin, influenceri brazilian shkakton kaos në qendrën tregtare në SHBA. Momenti kur ndiqet nga turma e njerëzve

13/06/2026 10:05

Një influencues brazilian, i njohur në rrjetet sociale për ngjashmërinë e tij të jashtëzakonshme me Neymar, ka shkaktuar skena kaotike në një qendër tregtare në Shtetet e Bashkuara, pasi dhjetëra tifozë besuan se po takonin yllin e futbollit.

Bëhet fjalë për Eigon Oliver, i cili ndodhet në SHBA për të ndjekur ndeshjet e Botërorit 2026. I veshur me fanellën e Brazilit dhe me një pamje pothuajse identike me atë të Neymarit, ai tërhoqi menjëherë vëmendjen e vizitorëve në qendrën tregtare.

Sipas videove që po qarkullojnë në rrjetet sociale, qindra persona nisën ta ndiqnin nëpër korridore për të bërë fotografi, selfie dhe për të kërkuar autografe, të bindur se kishin përballë një nga futbollistët më të njohur në botë.

Pamjet tregojnë turma të mëdha njerëzish që vrapojnë pas influencuesit, duke krijuar momente konfuzioni dhe rrëmujë. Situata u bë aq e tensionuar sa ndërhyrja e personelit të sigurisë u konsiderua e nevojshme për ta shoqëruar Oliverin jashtë ambienteve të qendrës tregtare dhe për të shmangur incidente të tjera.

Nuk është hera e parë që braziliani përballet me situata të tilla. Falë ngjashmërisë së tij të habitshme me Neymarin, ai është bërë i famshëm në rrjetet sociale dhe ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e tifozëve në paraqitjet e tij publike.

Top Channel