“Duhet të jesh idiot të mohosh përfshirjen e Iranit, gjithë dynjaja në Greqi është hedhur përpjetë”, Rama për protestën e Zvërnecit: S’është fjala për flamingot, por për Donald Trump

12/06/2026 19:43

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama e lidhi vëmendjen e madhe që ka marrë Shqipëria në arenën ndërkombëtare për protestën dy javore që po zhvillohet në Tiranë për shkak të përmendjes së emrit të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump.

Duke folur në 35 vjetorin e krijimit të forcës politike që e drejton prej vitit 2005, ai tha se nuk bëhet fjalë për Flamingot por për Presidentin amerikan.

“Një përplasje mes të mëdhenjve nuk është puna jonë. Nëse bota do të ishte kaq e ndjeshme, do të kishte thënë diçka për Rrjollin. Këtu fjala nuk është për flamingot, Zvërnecin apo ndonjë gjë tjetër, por për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ata nuk mund t’i përdorin shqiptarët si ‘mish për top’”, deklaroi Rama.

Nga Sheshi Italia përpara mijëra socialistëve të pranishëm, kryeministri foli për përfshirjen e Iranit, por edhe për interesa të Greqisë në “fryrjen” e protestës së Zvërnecit.

“Kam dëgjuar ca molotovarë që thonë nuk ka lidhje fare Irani këtu, kjo është një protestë bio. Protesta e atyre që janë shqetësuar për Zvërnecin është bio, por ajo që bëjnë vendet të cilat futen armiqësisht në trupin e një vendin tjetër, është shfrytëzimi i protestave bio, i mërzive, sëkëlldimeve bio dhe pastaj e dinë ata çfarë bëjnë se duhet të jesh idiot të mohosh përfshirjen e të vetmit vend armik të Shqipërisë, të Republikës Khomeiniste të Iranit”, deklaroi Rama.

Nuk është e rëndësishme sa shumë ka lidhje të drejtpërdrejta një armik që futet përmes rrjeteve dixhitale dhe tenton të bëjë çorap vendin tënd. Nuk është si fijet që priten, por sesi të shfrytëzon ty për ta bërë çorap vendin tënd”.

“Si shpjegohet që është hedhur përpjetë gjithë dynjaja në Greqi? Sepse jemi futur në territorin e një konkurrence të ashpër që ka vite që e zotëron këtë treg. O do të pranojmë që do të rrimë mbrapa, o do të vendosim që do të ecim për të kaluar në ligën e tyre përfundimisht.

O do të pranojmë që Greqia, Kroacia, Mali i Zi do t’u ofrojnë mikpritje atyre që janë më të pasur dhe ne do të jemi vendi që do të vijnë me bukë me vete turistët, o do të bëhemi si Dubai në kuptimin e atraksionit për Lindjen e Mesme. Do t’i themi jo investitorit arab, mos hajde se ne kemi frikë të ëndërrojmë, të zhvillohemi, të rritemi, të pasurojmë vendin tonë? Me çfarë do ta bëjnë Shqipërinë këta patriotët, do të shesin flamuj, qeleshe apo shqiponja?”, tha Rama.

Fjala e Kryeministrit, njëherësh Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama:

Të dashur themelues, përfaqësues, anëtarë dhe anëtare të familjes sonë të madhe politike, Partisë Socialiste të Shqipërisë!

Puna e solli që pikërisht në muajin e kremtimit të 35 vjetorit të lindjes kësaj familjeje për Shqipërinë, një masë e madhe njerëzish të dilte e vrullshëm mbi sipërfaqen e kanaleve të internetit dhe një bashkësi përfaqësuese e saj të merrte në zotërim çdo mbrëmje, bulevardin e Tiranës.

Protesta nisi me zemërimin e drejtë për një akt dhune dhe me kërkesën e padrejtë për anulimin e një investimi madhor që do të ndikojë ndjeshëm parametrat ekonomik dhe social të Shqipërisë, duke futur të paktën 4 miliardë euro, në një ekonomi me një volum të përgjithshëm prej 27 miliardë eurosh. Vetëm ky investim është më shumë se 1/7 e Prodhimit të Përgjithshëm të vendit tonë dhe është dy herë e gjysmë më shumë sesa i gjithë stoku i investimeve të huaja në Shqipëri vitin e shkuar.

E vërteta është se edhe unë personalisht po të isha një qytetar që informohet nga rrjetet sociale duke dëgjuar dhe parë turlillojet e gjysmë të vërtetave të fryra çdo minutë në vorbullat e kanaleve të dala me tërbim nga shtrati si dhe lloj-lloj videosh dhe fotosh të sajuara për të ushqyer zemërimin, “pelikanë të ngordhur”, “flamingo në arrati”, “ruspa rrafshuese të natyrës”, “gradaçela mbi lagunën dhe mbi Sazan”, “tabelë kufiri e Izraelit” mbi një gardh me tela me gjemba, – do kisha dalë në bulevard i llahtarisur nga gjithë ai apokalips dixhital. Do të më dukej dhe mua që e keqja e gatuar pas shpinës së popullit ishte aq e tmerrshme sa befas krejt bota u zgjua si nga një ankth dhe u bashkua kanal më kanal, ekran më ekran, kontinent më kontinent për të shpëtuar atdheun tim të vogël nga një investim shkatërrues për jetën e gjelbër, shfarosës për zogj dhe për breshkat e ujit, vrastar për njerëzit, varrosës për të ardhmen e Shqipërisë dhe pa diskutim anulimi i një projekti kriminal që u trumbetua me nota ulëritëse dhe si shitje e të vetmit ishull të Shqipërisë, si falje e një toke publike në zonë të mbrojtur, si shqelmim brutal i të drejtës së pronës do më dukej më e pakta gjë që duhet të ndodhte.

E kam vënë veten vijimisht sepse ma ka mësuar kjo punë që të futem në këpucët e tjetrit në anën e atij grupi njerëzish që në mes të asaj turme, prurjesh dhe interesash të sojsojshme i ka çuar pasioni i sinqertë për zogjtë, dashuria për natyrën e virgjër, ideja e një Shqipërie ideale të paprekur dhe të paprekshme. Këto burime të energjisë ambientaliste, bashkuar me ndjesinë e hidhur të dhunimit nga arroganca e atyre që një pushtet sado të vogël e ushtrojnë, duke shpërfillur hallet dhe interesat e njerëzve janë më shumë sesa të mjaftueshme për të dalë në rrugë.

E vërteta është se dallimi mes meje dhe kujtdo në atë bashkësi protestuesish që i përket kësaj kategorie nuk është si duket nga bulevardi.

Përkundrazi edhe unë mendoj një për hiret e natyrës shqiptare, për rëndësinë e mjedisit për jetën e banorëve të tokës, brishtësinë e mjedisit përballë vendimeve të njerëzve me pushtet dhe jo thjesht mendoj njësoj, por qysh se e kam shkelur në zyrën e parë të shtetit si Ministër Kulture, deri më sot, kam bërë gjithnjë sa kam mundur kundër pisllëkut dhe për pastërtinë.

Shumë prej atyre që janë në bulevard apo që i mbështesin nga rrjetet sociale, janë shumë të rinj për ta kujtuar Tiranën e 25 vjetëve më parë kur me Partinë Socialiste morëm drejtimin e një kryeqyteti që kishte më shumë pemë të prera sesa pemë të mbjella. U them atyre sot se 90% e pemëve që shohin nëpër rrugët e Tiranës, nga buzët e Lanës në Laprakë, nga Kinostudio në Kombinat e rrotull Unazës së vjetër e kështu me radhë, i kemi mbjellë së bashku me disa të tjerë që janë këtu, në kohën kur si kryetar bashkie, dola nga zyra, duke lënë mbrapa 55 mijë rrënjë pemësh dhe shkurresh dekorative të mbjella në qytetin tonë. Shumë prej atyre pemëve shtatlarta kanë qenë fidanë të mbjellë me sherr pasi duheshin shkulur kioska, shembur ndërtime, zgjeruar trotuare dhe unifikuar katet e para të pallateve që ishin dyqane.

Vetëm nga dy skarpatet e Lanës janë hequr 123 000 ton beton, gërmadha godinash të paligjshme për të mbjellë të gjithë atë gjerdan të gjelbër të Tiranës, i cili sot ka dhe dy tunele të gjelbër kur bashkohen kurorat e pemëve të rritura në anën tjetër të dy akseve të unazës.

Ajo e epopesë së rilindjes së Tiranës ka qenë një rrugë e një vështirësie që sot është zor të imagjinohet dhe që atëherë unë e mësova me pahir se në këtë vend nuk hidhet dot një hap për të ecur përpara pa u hapur një sherr për t’u kthyer mbrapa. Ashtu sikundër ajo rrugë më mësoi se shumica e heshtur është gjithnjë me hapin që hidhet përpara, asnjëherë me sherrin e zhurmshëm për t’u kthyer mbrapa dhe që atëherë më flet gjithmonë në vesh vazhdimisht Faik Konica: – “Bëj durim se shqiptari e ka zakon që kundërshton përpara se të marrë vesh”.

Kur më pas morëm mandatin e asaj shumice për të rilindur Shqipërinë e zhytur në pisllëk, në gropa, në borxhe, në cepin e përbuzjes dhe shpërfilljes ndërkombëtare, dy nga vendimet e para që morëm në tryezën e qeverisë, tamam në ditën e betimit ishin vendosja e fotografisë së atit të Shqipërisë shtet, Ismail Qemalit në vend të fotografive të presidentëve që venin e vinin si edhe ndalimi i importit të plehrave.

Me fjalë të tjera, ne u përcaktuam edhe simbolikisht si një forcë në shërbim të misionit për t’i dhënë dinjitetin e humbur Shqipërisë dhe shtetit të saj dhe u angazhuam konkretisht në një veprimtari të pandalur për të rivendosur ekuilibrin e humbur të njerëzve me Shqipërinë, ndalimin e importit të plehrave dhe heqjen e maleve të mbetjeve të grumbulluara kudo, kudo, kudo ku hidhje sytë e pasuan më tej edhe dy vendime të tjera që u kontestuan nga një pakicë e zhurmshme.

Ndalimi i prerjes pyjeve për 10 vjet dhe ndalimi i gjuetisë për 10 vjet. Dy moratoriume që kanë krijuar sot dy pamje krejt të ndryshme të Shqipërisë të asaj kohe kur nëpër pyje gjinkallat ishin zëvendësuar nga sharrat elektrike, ndërsa shpendët dhe kafshët shfaroseshin nga turizmi barbar i gjahtarëve të huaj, të cilët futeshin në vendin tonë si tufa çakejsh me dy këmbë për të bërë masakra që në Europë as nuk janë imagjinuar dot shekuj më parë.

Ishim ne që pastaj kryem regjistrimin në Kadastër të 1.3 milionë hektarë pyje mbi mesataren e Bashkimit Europian është kjo sasi. Ishim ne, që përmes moratoriumeve 10 vjeçare të gjuetisë dhe pyjeve mundësuam disafishimin e popullatës së shpendëve të egër, çka e tregon dhe censusi që bëhet çdo vit në mënyrë të rregullt.

Flitet këto kohë pa pushim, pa karar për zonat e mbrojtura. Kjo është gjë e mirë, por çfarë nuk është aspak e mirë, nuk është thjesht fakti që harrohet se ligjin e parë me standarde europiane zona të mbrojtura e bëri qeveria e Partisë Socialiste në mandatin tonë të parë.

Deri në 2017 Shqipëria nuk kishte ligj për zonat e mbrojta, por vepronte me ca rregullore. Ishim ne që gjatë mandatit të dytë dhe të tretë e kemi çuar në thuajse 25% sipërfaqen e zonave të mbrojtura të Republikës së Shqipërisë. Pra në Shqipëri 1/4 e territorit është zonë e mbrojtur.

Ishim ne që krijuam për herë të parë Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, një strukturë që është unikale në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe e bëmë qysh në fillim mandatit të parë. Sot, Shqipëria ka rrjetin më të zhvilluar të mbrojtjes në Ballkanin Perëndimor dhe kjo është e mirënjohur dhe e lëvduar nga të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Shqipëria është i vetmi vend i rajonit me një administratë të shtrirë në të gjithë vendin për zonat e mbrojtura ku kemi 12 parqe kombëtare, 28 parqe natyrore, 11 peizazhe të mbrojtura dhe mbi 700 monumente natyre. Ishim ne, që i bllokuam duzina e duzina, lejesh të dhëna qorrazi mbi shtretërit e lumenjve tanë, ku vetëm në lumin magjik të Valbonës kemi ndaluar ndërtimin e plot nëntë hidrocentraleve, nëntë!

Fakti është se për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar bashkë me degët e veta Drino, Bënça Shushica, plot 12.000 hektarë, kemi anuluar 40 kontrata hidrocentralesh. 40! Dhe për dijeni në Greqinë fqinje dhe mike ku ndodhen 70 km e para të Vjosës nuk i është dhënë lumit të fundit të egër në Europë një mbrojtje kaq e fortë siç i kemi dhënë ne, në Vjosën që jo vetëm e shpëtuam nga hidrocentralet duke shpallur Park Kombëtar, mu ashtu siç ishim zotuar në programin tonë, por ndërkohë sot e gjithë ditën jemi ende në një betejë fyt për fyt me një kriminel që u bë heroi i opozitarëve tanë kur me demek i mori Shqipërisë 110 milionë euro në arbitrazh dhe kur opozitarët tanë, ata të vjetrit dhe ata të rinjtë shpërndanin përpara zgjedhjeve në të gjitha makinat, nëpër xhama dhe nëpër shtëpi fletushkën se ikën 110 milionë dollarë nga taksat.

Në fakt ai llum i sjellë në Shqipëri nga tjetërkush më parë për ta mjelë këtë vend si lopën e komshiut, jo vetëm që s’ka marrë deri tani që flasim asnjë qindarkë nga shteti shqiptar, por po përballet aktualisht me drejtësinë në Belgjikë pas shumë fakteve të depozituara pranë organeve të drejtësisë belge nga qeveria shqiptare.

Kurse hidrocentrali i tij monstruoz bashkë me mjetet dhe materialet e sekuestruara iku për skrap. Sepse qysh se Partia Socialiste ka marrë përsipër misionin historik për ta anëtarësuar Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe shqiptarët më kanë besuar udhëheqjen e tyre drejt asaj maje, Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje! Ky vend nuk ka qenë kurrë më një krijesë e kërrusur përpara askujt!

Flamuri i ngritur në Vlorë nga plaku legjendar i pavarësisë nuk ka qenë më kurrë asnjë çarçaf patriotizmi të shtirur, asnjë tortë për t’u ofruar, në vend të reformave shtetndërtuese, por për ne, për mua Shqipëria është një amanet i shenjtë në sytë, në mendjen dhe në zemrën time.

Prandaj jam krenar sot në këtë përvjetor përballë të gjithëve ju, qoftë përballë atyre që më besuan kur mora drejtimin e kësaj partie të madhe, qoftë përballë atyre që ishin në të drejtën e tyre të mos besonin si njeriun e duhur në krye të kësaj familje politike dhe qoftë përballë atyre që kishin të drejtën e tyre të më luftonin si njerëz të së njëjtës familje.

Jam krenar edhe përballë atyre që mungojnë sot sepse nuk janë më mes nesh ku dua të veçoj liderin historik të socialistëve Fatos Nanon. Krenaria e shprehur publikisht e të cilit për mua si pasardhës i tij pikërisht në vitet e fundit të jetës fatkeqësisht të shkurtër dhe pasi marrëdhënia jonë kaloi në faza dramatike kryesisht për të, mbetet për mua një vlerësim i veçantë. Ashtu sikundër sot, nuk mund të harroj këtu çdonjërin nga veteranët e luftës edhe ata nuk janë më me ne që i njoha fillimet e këtij misioni, që mu bënë krah i fortë edhe pse më pritën fillimisht me këmbët e para.

Nuk krenohem përpara jush dhe çdo anëtari të familjes sonë se kam bërë gjithçka mirë, se kam qenë i pagabueshëm apo se nuk i kam hyrë në hak askujt. Jo, nuk e kam bërë gjithçka mirë. Kam gabuar, jo njëherë dhe pse kurrë nuk kam dashur t’i hyj në hak askujt, ka shumë të ngjarë që ta kem bërë pa qëllim ose ngaqë mund të kem bërë ndonjë vlerësim të gabuar, por unë krenohem sepse i kam dhënë dhe do t’i jap Partisë Socialiste pa kursim gjithçka që kërkohet nga një lider dhe së bashku me Partinë Socialiste, ja kemi ngritur kokën Shqipërisë dhe çdo shqiptari që sot kudoqoftë e thotë pa asnjë siklet, “jam shqiptar” dhe jam krenar se ne dhe askush tjetër do ta çojmë Shqipërinë në krah në majën ku dielli lind andej nga perëndon! Ata ndër ju që më njohin dhe që kanë punuar apo punojnë afër me mua, e kuptojnë se çfarë kam parasysh, duke iu thënë që e di shumë më mirë sesa mund t’ju dukem disave, se çfarë nuk shkon në këtë Shqipëri që kemi ndërtuar me kaq shumë mund deri këtu.

Ma kërkon detyra dhe ma imponon respekti që kam për të gjithë ata që ma kanë besuar këtë detyrë të lartë, për 4 mandate rresht që t’i ndjek punët e vendit në çdo drejtim, të drejtoj dhe të kuptoj problemet e njerëzve kudo dhe sido që ata i kanë dhe mbi të gjitha, t’i ndiej hallet dhe dhembjet e atyre që nuk ia dalin, por gjithashtu kjo rrugë ma ka provuar në mish, kockë dhe deri në palcë, në shpirt dhe në mendje, atë që një burrë i madh ka lënë shënim për të gjithë burrat në arenë, nuk ka rëndësi kritiku, njeriu që tregon me gisht sesi burri i fortë pengohet, apo se ku ai, që i bën gjërat mund t’i kishte bërë më mirë; merita i takon atij që eshtë vetë në arenë, fytyra e të cilit është e shkarravitur nga pluhuri e nga djersa dhe gjaku; atij që guxon, që gabon dhe ngec përsëri e përsëri sepse nuk ka përpjekje pa gabime, apo ngecje; atij që i njeh entuziasmet e mëdha, përshkushtimet e palëkundura, atij që e shpenzon veten për një kauzë të drejtë, i cili në rastin më të mirë përjeton në fund triumfin e një arritjeje të lartë apo në rastin më të keq, nëse dështon, të paktën dështon duke guxuar fort.
Kësisoj vendi i tij nuk do të jetë kurrë mes atyre shpirtrave të ftohtë dhe frikacakë që nuk njohën as fitoren dhe as humbjen.

Motra dhe vëllezër,

Mund ta merrni me mend që këto ditë nuk kanë qenë të lehta as për mua, për shumë arsye dhe nuk ka një vend dhe një ditë më të duhur, sesa pikërisht ky vend dhe kjo ditë, që me lejen tuaj unë t’u drejtohem me disa fjalë edhe atyre që nuk janë këtu mes nesh dhe nuk janë sot me ne, duke u nisur në radhë të parë nga ata që dolën dhe janë në protestë për të ‘’mbrojtur’’ Zvërnecin dhe Sazanin nga unë dhe nga qeveria e Partisë Socialiste, por duke përfshirë dhe këdo tjetër që e ka këtë shqetësim.

Lutem që të bëjnë një përpjekje dhe të më dëgjojnë pak sepse ndryshe nga shumëkush, çfarë nuk kanë thënë tërë këto ditë në të gjitha gjuhët, unë mbaj përgjegjësi për çdo fakt që them, të paktën përpara 800 e ca mijë shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit që më kanë besuar udhëheqjen e këtij vendi, nëqoftëse të tjerët nuk duan as të dëgjojnë, edhe lëre pastaj të besojnë atë që them unë.
E përsëris dhe e them me shpirt, po të ishin të vërteta ato që u është mbushur mendja, se janë ashtu siç ua kanë thënë, shkruar, treguar nëpër kanalet e internetit, do isha dhe unë po aq i neveritur, sa më duket se janë disa prej jush.

E vërteta është se po jetojmë këto ditë, një nga ato zhvillimet e kohës së rrjeteve sociale, ku vendet e tjera, përpara nesh kanë rënë në kurthe të paimagjinueshme, si rezultat i manipulimit masiv të njerëzve, në metoda të provuara dhe në disa raste edhe të demaskuara në vende të tjera. Prandaj, unë cilitdo që është i interesur për të mbrojtur interesin publik, që është i interesuar vërtetë për mjedisin, biodiversitetin, të ardhmen e shpendëve në zonën ku do të zhvillohet projekti i Zvërnecit apo i ishullit të Sazanit, i them se faktet që ne kemi ne dispozicion, duhet të jenë normalisht mëse të majftueshme për të qetësuar shpirtin e kujtdo në këtë drejtim, prandaj, bujrum ejani t’i dëgjoni.

Ejani t’i shikoni dhe ejani t’i verifikoni vetë faktet.

Ejani të merrni provat e nevojshme për t’u ndjerë, jo vetëm të lehtësuar, por edhe krenarë, po, për t’u ndjerë krenarë për, se si institucionet tona e kanë përfaqësuar, qoftë në lidhje me interesimin për Sazanin, qoftë në lidhje me procesin e aplikimeve dhe të reagimeve zyrtare ndaj tyre, për zhvillimin e Zvërnecit.
Ejani të shikoni me sytë tuaj, që nuk ka asnjë status ‘’investitori strategjik’’ të dhënë për investitorin më të madh privat në historinë e Shqipërisë.

Ejani të shikoni, duke dëgjuar me veshët tuaj, por edhe duke parë dokumentat se si për Sazanin nuk ka asnjë marrvëshje, ende sot që flasim, por ka vetëm një negociatë që zgjat prej shumë kohësh tanimë dhe pse zgjat? Zgjat pikërisht sepse ne nuk përfaqësojmë interesat e investitorëve, sado të fuqishëm e sado miq të mirë të Shqipërisë të jenë. Ne përfaqësojmë interesat e Republikës së Shqipërisë dhe në emër të atyre interesave, në tryezë ne kemi bërë të qartë dy gjëra themelore; ishulli nuk shitet, gjë që për hir të së vërtetës, as nuk e kanë kërkuar; dhe ishulli nuk jepet me qera. Ishulli është dhe mbetet pronë e shtetit shqiptar.

Ndërkohë që shteti kërkon të marrë pjesë si partner në investim dhe kërkon pjesë nga fitimi i investimit për popullin shqiptar.

Nuk ka njeri me logjikë që nuk e kupton se shitësat, se tradhëtarët dhe se të pabesët nuk mbajnë pronën për shtetin dhe nuk kërkojnë fitime për shtetin. Se ata që e mësuan Shqipërinë për 20 e kusur vite që të rrinte si e kërrusur përpara të mëdhenjve të kësaj bote, nuk do ta kishin problem fare që t’i kishin bërë të gjitha këto për të cilat na akuzojnë ne dhe më akuzojnë mua, por ne nuk jemi si ata.
Unë nuk jam si askush prej tyre dhe si askush prej atyre të tjerëve që i dëgjojnë këto ditë me vëmendje të shtuar ato sirena. Këtë që bëjmë ne edhe me atë grup aq të fuqishëm investitorësh, e bëjnë vetëm përfaqësuesit e denjë të një populli që i ka votuar për t’u kujdesur për interesat e republikës dhe për interesat e tij.

Ejani, ejani, ejani të ballafaqoheni me të gjitha kërkesat e lëna nga institucionet për të respektuar standartet mjedisore dhe biodiversitetin dhe po, ejani të shikoni me sytë tuaj, se si janë tërhequr vetë investitorët nga aplikimet, pikërisht sepse kërkesat tona kanë qenë rigoroze, institucionet tona kanë qenë këmbëngulëse dhe ajo që ne duam të bëjmë me atë investim, nuk është një biznes i radhës në plazh, në bregdet, po është një xhevahir që ne duam t’ia vëmë kurorës së Mesdheut në emër të Republikës së Shqipërisë, në emër të popullit shqiptar, në emër të të gjithë fëmijëve tanë që kur të dëgjojnë për destinacionet ku të gjithë ata që dalin në bulevard dhe shohin veten në ekran, shkojnë për të bërë pushimet e tyre t’ju thonë të tjerëve, kemi dhe ne Vlorën, kemi dhe ne Zvërnecin.

Top Channel