
Vetëm pak ditë pasi mbërritën në tokën shqiptare dhe u akomoduan në kampin e Gjadrit, emigrantët e sjellë nga Italia kanë shkaktuar tension.
Ndonëse nga jashtë situata dukej e qetë, mediat italiane zbulojnë se brenda kampit të Gjadrit nuk ka munguar tensioni gjatë këtyre dy ditëve.
Siç raportojnë mediat fqinje, një pjesë e emigrantëve që po mbahen në Gjadër prej 11 prillit janë revoltuar, duke kryer edhe akte dhune. Sipas autoriteteve italiane, që iu referohen mediat, rreth 20 emigrantë kanë dëmtuar dhomat ku po qëndrojnë, si dhe kanë shkatërruar një pjesë të pajisjeve brenda tyre.
Sipas të njëjtave burime nga përtej Adriatikut, 3 prej emigrantëve kanë marrë lëndime të lehta me thikë. Menjëherë pas incidentit kanë reaguar autoritetet italiane, që menaxhojnë gjithçka ndodh brenda kampit, duke vendosur në izolim emigrantët problematikë, të cilët po mbahen nën monitorim.
Lidhur me tensionin brenda kampit shqiptar mediat italiane kanë pyetur ministrin e tyre të Brendshëm, Mateo Piantedosi, i cili ka konfirmuar se kontigjenti është problematik, pasi mes tyre ka edhe të akuzuar ose të dënuar për krime të rënda, përfshirë vrasje të mbetur në tentativë, dhunë seksuale, lëndime, pornografi me fëmijë, vjedhje, grabitje dhe posedim të lëndëve narkotike.
40 emigrantët që mbërritën në Shëngjin me anije ‘Libra’ me 11 Prill, janë kontigjent kriminal ndaj iu është refuzuar azili në Itali. Ata do të qëndrojnë në kampin e Gjadrit, derisa të riatdhesohen në vendet e tyre të origjinës. Afati maksimal i qëndrimit në Shqipëri do të jetë 18 muaj.
Fillimisht, kampi i Gjadrit ishte konceptuar për të strehuar përkohësisht azilkërkuesit e shpëtuar në det nga anijet italiane. Por me dekretin e ri të qeverise Meloni, “Gjadri” do të shërbejë si qendër ndalimi për emigrantët që nuk kanë më të drejtë azili dhe pritet të deportohen në vendet e tyre të origjinës.
Top Channel