
Edhe pse sipas burimeve qeveritare në Greqi ndikimi i tarifave të vendosura nga Donald Trump në ekonominë greke nuk do të jetë i madh në afat të shkurtër, ekspertët theksojnë se ato vlerësohet të sjellin një ulje prej 0.5% të PBB-së, pra rreth 1.1 miliardë euro.
Vetë presidenti i Shoqatës Panhelenike të Eksportuesve ,organizata kryesore e eksportit në Greqi, paralajmëroi se tarifa prej 20 % e vendosur nga SHBA ndaj vendeve të BE-së do të ndikojë rëndë tek eksportet bujqësore greke.
“Produktet bujqësore përbëjnë 32% të totalit të eksporteve tona, ku më të prekurit janë ullinjtë, me vlerë 214 milionë euro, pasi SHBA janë tregu më i madh i eksportit për ullinjtë grekë. Produkte të tjera të prekura përfshijnë produktet e qumështit, pjeshkën, verën dhe mjaltin”, u shpreh Alkiviadis Kalampokis, president i Shoqatës Panhelene të Eksportuesve.
Greqia do të përballet jo vetëm me ndikimin e drejtpërdrejtë të rritjes së tarifave të SHBA-së, por edhe me efektet indirekte që rrjedhin nga ndikimi i tarifave në vendet e tjera të BE-së – nënvizojnë gjithashtu specialistët. Nga ana e tij kryeministri Mitsotakis në një mbledhje urgjente të qeverisë për këtë problem ka deklaruar se Greqia është gati të përballet me sfidat e reja, se duhet të ketë një reagim të unifikuar me 27 vendet anëtarë të BE dhe se tarifat për vajin, ullirin dhe djathin feta të vendosura nga SHBA nuk kanë kuptim.
“Një gjë është e sigurt: ne padyshim do të luftojmë për të mbrojtur interesat tona kombëtare. Ullinjtë, vaji, feta, janë produkte që nuk prodhohen fare në SHBA, ndaj vendosja e tarifave, të paktën në mendjen time, nuk ka shumë logjikë”, tha Mitsotakis.
Sipas kreut të qeverisë në këtë moment ekonomia e vendit duhet të përpiqet për hyrjen e produkteve greke në tregje të tjera dhe të ruajë stabilitetin fiskal. Ndërkohë edhe bursa e Athinës për të tretën ditë ka pësuar rënie dhe Indeksi i Përgjithshëm ndodhet nën mesataren e tij lëvizëse 200-ditore ,duke shënuar humbje totale në këto ditë prej më shumë se 7 miliardë euro.
Top Channel