
Presidenti Donald Trump tha se topi është në fushën e presidentit rus, Vladimir Putin pasi Ukraina pranoi një armëpushim 30-ditor të propozuar nga SHBA të martën.
“Ne do të duhet të shohim. Është në dorën e Rusisë tani”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale kur u pyet nëse ai kishte një takim apo telefonatë të planifikuar me Putinin, duke shtuar se “përfaqësuesit e SHBA-së po shkojnë në Rusi në këtë moment”.
I dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme Steve Witkoff pritet të udhëtojë në Rusi më vonë këtë javë, megjithëse është e paqartë nëse ai planifikon të takohet me Putinin, me të cilin u takua muajin e kaluar.
Zëvendëspresidenti, JD Vance, duke folur në Zyrën Ovale, vuri në dukje se bisedat po ndodhin në telefon dhe personalisht me disa nga përfaqësuesit gjatë dy ditëve të ardhshme”.
I pyetur nëse ai besonte se Putini do të zbatonte një armëpushim, duke qenë se ai i kishte thyer ato në të kaluarën, Trump tha: “Ne nuk kemi folur ende me të sepse sapo e morëm vesh dhe thjesht ishim në gjendje ta bënim Ukrainën të binte dakord. Ne do ta dimë shumë shpejt. Kam marrë disa mesazhe pozitive, por një mesazh pozitiv nuk do të thotë asgjë.”
Trump përsëriti fjalët e tij se Ukraina ka qenë “pala më e vështirë” për të negociuar. Por kur u pyet, ai tha gjithashtu se mund të vendoste sanksione shtesë ndaj Rusisë, megjithëse tha se nuk dëshiron ta bëjë këtë.
“Ka gjëra që mund të bëj që nuk do të ishin të këndshme, në kuptimin financiar. Mund të bëj gjëra financiare që do të ishin shumë të këqija për Rusinë. Unë nuk dua ta bëj këtë sepse dua të arrij paqen, dua të shoh paqen”, tha ai.
Top Channel