
Qeveria e Kosovës e ka miratuar nismën për lidhje të Marrëveshje Kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Marrëveshja për thellimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes të dyja vendeve përfshinë pesë pika, duke nisur nga planifikimi dhe qeverisja e mbrojtjes, menaxhimi i resurseve humane dhe të mbrojtjes e qëndrueshmëria strategjike.
Sipas marrëveshjes kornizë, Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se SHBA-të do të mbështesin Kosovën në ndërtimin e kapaciteteve strategjike ushtarake, duke përfshirë edhe mbrojtjen ajrore e ndërtimin e flotës së helikopterëve.
“Kemi pasur takime gjatë vizitës që kemi pasur së bashku me komandantin e FSK-së në Uashington, kemi qenë direkt në fabrikën për prodhimin e helikopterëve Black Hawk, ku kemi diskutuar edhe çështjet e detajuara rreth këtyre helikopterëve dhe mundësive procedurale për blerjen e tyre, ne kemi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e këtyre helikopterëve“, u shpreh ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Pjesë e marrëveshjes është edhe bashkëpunimi me SHBA-të, me qëllim anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“SHBA-të janë zotuar përmes kësaj marrëveshjeje që do të mbështesin në aspektin teknik, procedural dhe në aspektet tjera, Republikën e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO”, tha Maqedonci.
Ministri i Mbrojtjes në konferencën e së mërkurës tha se kanë marrë garanci nga SHBA-të se nuk do të ketë largim apo reduktim të trupave të tyre nga misioni i KFOR-it.
“Ne po vazhdojmë të kemi konfirmim që ushtria amerikane do të jetë prezent në kuadër të KFOR-it“, vijoi ministri i Mbrojtjes.
Periudha e mbështetjes së SHBA-së sipas marrëveshjes pritet të jetë nga tani dhe deri në vitin 2028, kur edhe përmbyllet faza e tretë e transformimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri.
Top Channel