25-vjetori i sulmeve terroriste, Trump në Pentagon: Nuk do ta harrojmë kurrë 11 shtatorin, për këtë arsye luftojmë

11/09/2026 17:48

Presidenti amerikan Donald Trump përkujtoi 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 gjatë një ceremonie në Pentagon, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara nuk do ta harrojnë kurrë atë ditë dhe se kujtimi i saj lidhet me luftën e sotme kundër terrorizmit.

“Nuk do ta harrojmë kurrë. Pikërisht për këtë arsye luftojmë sot. Ne nuk kemi zgjidhje tjetër. Vetëm fitorja mund të vijë”, deklaroi Trump gjatë fjalimit të tij.

Presidenti amerikan i përshkroi sulmet si “një moment të një të keqeje të madhe dhe të tmerrshme”, duke theksuar se 11 shtatori ishte një nga sprovat më të rënda me të cilat është përballur vendi.

Në fjalimin e tij, Trump u ndal te mënyra se si amerikanët reaguan pas sulmeve, duke vënë theksin te uniteti kombëtar dhe solidariteti i shfaqur në një nga momentet më të vështira të historisë së vendit.

“Koha nuk e ka zbehur nderin e asaj dite kur vendi ynë u përball me të keqen e vërtetë”, tha presidenti amerikan, duke shtuar se përvjetori shërben gjithashtu si një kujtesë për mënyrën se si Amerika iu përgjigj asaj që ndodhi.

Sipas Trump, ishte pikërisht në ditë të tilla që u dëshmua karakteri i kombit amerikan.

Një pjesë e rëndësishme e fjalimit iu kushtua heronjve të 11 shtatorit. Trump përmendi zjarrfikësit, policët, punonjësit e shërbimeve të emergjencës, por edhe qytetarët e zakonshëm që rrezikuan jetën për të ndihmuar persona që nuk i njihnin.

“Heronjtë tanë janë ata që futen me vrap në ndërtesa dhe japin jetën e tyre një të martë në mëngjes për të huaj që nuk i kanë takuar kurrë”, tha Trump.

Presidenti amerikan e vuri përballë këtij heroizmi veprimet e terroristëve, duke argumentuar se reagimi i amerikanëve pas sulmeve dëshmoi qëndrueshmërinë dhe kohezionin e shoqërisë amerikane.

Top Channel