Në prag të një marrëveshje të mundshme mes BE dhe Britanisë gjatë samitit të javës së ardhshme Brukseli kërkon nga Londra të paguajë akoma më shumë për suksesin e Planit të Veprimit të BE për frenimin e kalimit të gomoneve drejt brigjeve angleze.
Kjo shumë e re do duhet të jetë shtesë e 662 milionë stërlinave të premtuara Francës, për kalimet ilegale. Media angleze shkruan se kjo kërkesë ishte fshehur në një dokument që ka dalë në publik nga
Deklarata e Përbashkët e hartuar në prag të Samitit për ristartimin e marrëdhënieve të BE dhe Britanisë pas Brex-it, samit që do mbahet më 20 nëntor. Opozita e cilëson të turpshme këtë kontribut shtesë dhënë nga qeveria në shkëmbim të asgjëje.
Këtë vit deri më tani 23 mijë emigrantë kanë arritur të kalojnë La Manshin. Ky lajm vjen ndërkohë që kryeminstri Andy Burnham po përgatitet për arritjen e një marrëveshje me Brukselin për tregtinë e artikujve ushqimor, energjetikën dhe lëvizjen e të rinjve mes Britanisë dhe vendeve të BE-së.
Burnham ka premtuar të përcaktoj opsionet për marrëdhëniet afatgjata të Britanisë me BE-në, duke u prononcuar madje, se do donte që Britania të rifutej në BE gjatë jetës së tij. BE ka iniciuar Planin e Veprimit në muajin qershor duke bashkëpunuar me Francën, Belgjikën, Gjermaninë dhe Hollandën për luftën kundër migrimit ilegal. Kërkesa për kontribut financiar nga Britania mbetet pjesë e qëndrimit negociues të BE-së me qeverinë britanike e cila do duhet të prononcohet zyrtarisht nëse do e bëjë një gjë të tillë.
Një zëdhënës i qeverisë tha se ne nuk komentojmë për dokumenta të dala apo të bëjmë komente për negociata që janë ende duke u zhvilluar. Samiti i 20 Nëntorit do jetë momenti kur do mësohet përfundimisht nëse Britania do shpenzoje akoma më shumë se 662 milionë dhënë deri tani Francës, ku reagimi i publikut britanik është tejet i forte kur efektiviteti i këtyre financimeve lë shumë për të dëshiruar dhe emigrantët vazhdojnë të vijnë me mijëra përmes La Manshit.
Top Channel