“Britma nga ferri”, tensione mes Trump dhe Netanyahut për rifillimin e sulmeve ndaj Iranit

11/11/2026 15:40

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti amerikan Donald Trump patën një telefonatë të tensionuar gjatë fundjavës, ku në qendër të diskutimit ishte mundësia e rifillimit të operacioneve ushtarake kundër Iranit.

Lajmi u raportua tani nga media izraelite Ynet, e cila i referohet burimeve që kanë dijeni mbi përmbajtjen e bisedës. Sipas raportimeve, dy liderët kanë pasur mosmarrëveshje lidhur me qëndrimin që duhet të mbajë Uashingtoni ndaj Teheranit.

Netanyahu këmbëngul për rifillimin e sulmeve ushtarake, ndërsa Trump duket se është më i prirur t’u japë kohë përpjekjeve diplomatike me qëllim arritjen e një marrëveshjeje me Republikën islamike.

Më herët, Axios, Associated Press dhe Financial Times kishin raportuar në lidhje me përpjekjet e Netanyahut për të bindur presidentin amerikan që të rifillonte operacionet ushtarake pas zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA.

Sipas burimeve të cituara nga Ynet, telefonata e fundjavës ishte veçanërisht e vështirë dhe përfshiu shkëmbime të ashpra replikash mes dy liderëve. Një prej burimeve e përshkroi atë si një “shkëmbim britmash nga ferri”.

Zyra e kryeministrit izraelit megjithatë i hodhi të tilla këto pretendime, duke i përshkruar si “lajme të rreme dhe marrëzi të pastër”. Një zyrtar i lartë izraelit e konfirmoi megjithatë se telefonata ka ndodhur vërtet, edhe pse nuk e pranon që ajo të ketë qenë kaq e ashpër.

Ndërkohë, Netanyahu po përballet edhe me pasiguri në frontin e brendshëm politik. Pas zgjedhjeve parlamentare të 27 tetorit në Izrael, koalicioni i tij nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.
Presidenti izraelit Isaac Herzog i dha më 8 nëntor liderit të opozitës Gadi Eisenkot mandatin për formimin e qeverisë së re. Eisenkot ka 28 ditë kohë për të siguruar mbështetjen e nevojshme parlamentare, me mundësinë e një zgjatjeje prej 14 ditësh.

Top Channel