Xhamia më e bukur në botë! Xhamia e Elbasanit renditet në 5 objektet e kultit për finalen e “ndërtesa e vitit 2025”

18/02/2025 15:32

E ndërtuar në vitin 1608 Xhamia e Ballies në Elbasan do të ishte ndërtesa më e bukur e kohës, përtej Shqipërisë.

E shembur gjatë kohës së diktaturës dhe e rindërtuar në vitin 2022 kjo xhami vijon të jetë një ndërtesë shumë e bukur, tashmë e përzgjedhur si një nga 5 objektet më të bukura të kultit në botë duke  arritur në finalen e çmimit prestigjioz “Ndërtesa e Vitit 2025” nga ArchDaily.

“Xhamia Ballias është xhami e vjetër e Elbasanit e ndërtuar nga Hasan Balliu, nga i cili mori edhe emrin. Daton në vitin 1608 dhe ka qenë një nga xhamitë më të bukura të Elbasanit dhe më gjerë.

Jemi të privilegjuar që xhamia është zgjedhur ndër objektet më të bukura të kultit për vitin 2025”, shprehet Agim Duka.

Hartuesit e këtij projekti  janë kujdesur që të ndërthurin elementë të arkitekturës moderne me traditën shpirtërore të besimit islam. Dizajn inovativ kombinon mjeshtërisht traditën islame duke krijuar një hapësirë unike dhe frymëzuese.

“Xhamia e Ballias ka pasur në thelb një përqasje arkitektonike për një hapësirë frymëzuese për besimtarët në zhvillimin e marrëdhënies së tyre me Zotin. Koha është një koncept shumë i rëndësishëm në besimin islam dhe kjo ka qenë një nga pikat tona thelbësore në zhvillimin e të gjithë konceptit. Kemi dashur të interpretojmë kohën nëpërmjet disa elementëve të saj si drita që hyn në hapësirën e faljes, si tregues i kalimit të kohës dhe një ftesë për të kuptuar veten në raport më kohën.

Dimensionin e kohës kemi dashur ta tregojmë edhe në materialet që formësojnë xhaminë. Si p.sh. përdorimi i bakrit i cili me kalimin e kohës kthehet në nja material më dinjitoz apo në përdorimin e gurit e drurit të cilët e ruajnë dinjitetin me kohën dhe kanë jetëgjatësi.

Këto koncepte mendoj kanë ndikuar në përzgjedhjen ndër 5 më të mirat në kategorinë e objekteve të kultit.”, shprehet arkitekti, Jurtin Hajro.

Xhamia e Ballies në Elbasan është e vetmja godinë kulti në të gjithë Evropën e cila është përzgjedhur ndër 5 më të bukurat në konkursin prestigjioz Ndërtesa e Vitit 2025.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA