Gjermania do të dërgojë trupa në Ukrainë? Scholz irritohet nga pyetjet: Moment shumë i gabuar!

18/02/2025 13:34

E kanë irrituar kancelarin gjerman Olaf Scholz pyetjet mbi dislokimin e mundshëm të trupave gjermane në Ukrainë, me të cilat gazetarët iu drejtuan pas samitit urgjent të së hënës në Paris.

“Është e parakohshme dhe një moment krejtësisht i gabuar për të pasur këtë diskutim tani. Mund të them madje se jam i acaruar nga të tilla diskutime”, u përgjigj shefi i ekzekutivit gjerman kur redaktorët deshën të dinin nëse ai do ta merrte në konsideratë këtë ide. Scholz insistoi se bisedimet e paqes për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës nuk janë vendosur ende, dhe do të ishte shumë herët për të diskutuar edhe dislokimet e trupave në këtë fazë. Ndërkohë, argumentoi se Ukraina duhet të jetë në gjendje të mbrohet vetë, dhe bëri thirrje për mbështetje të vazhdueshme për Kievin.

Tani është shumë e qartë se duhet të vazhdojmë të përkrahim Ukrainën dhe ajo mund, dhe duhet të mbështetet tek ne për ta bërë një gjë të tillë. E mirëpresim faktin që po zhvillohen bisedime për paqen, por duhet të jetë e qartë se kjo nuk do të thotë se mund të ketë një paqe të diktuar dhe se Ukraina duhet medoemos të pranojë atë që i propozohet.

Presidenti francez Emmanuel Macron zhvilloi bisedime me një grup udhëheqësish evropianë , të përqendruara tek situata në Ukrainë, mes një ndryshimi në qasjen amerikane ndaj konfliktit dhe sugjerimeve të bëra nga zyrtarë amerikanë, se Evropa nuk do të ketë rol në bisedimet e paqes. Në këtë takim morën pjesë udhëheqës nga Britania, Gjermania, Italia, Polonia, Spanja, Holanda dhe Danimarka.

Scholz bëri thirrje për unitet mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara mbi sigurinë e Ukrainës, duke insistuar se nuk duhet të ketë ndarje të sigurisë dhe përgjegjësisë. NATO-ja mbështetet në faktin se ne gjithmonë veprojmë së bashku dhe ndajmë rrezikun, duke garantuar kështu sigurinë tonë. Kjo nuk duhet të vihet në dyshim”, u shpreh ai.

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta