
Jannik Sinner, numri 1 në renditjen e tenisit në botë, është pezulluar për tre muaj për shkak të dopingut.
Italian 23-vjeç, fitues i dy Grand Slameve në vitin 2024, rezultoi pozitiv me steroidin “clostebol” marsin e vitit të kaluar, por ai fajësoi kontaminimin aksidental pas një masazhi nga fizioterapisti i tij.
Ai tani ka pranuar të pezullohet për 3 muaj dhe ka zgjidhur çështjen e tij me Agjencinë Botërore Anti-Doping (WADA).
Agjencia e anti-dopingut tha në një deklaratë: Sinner do të pezullohet për një periudhë 3-mujore nga data 9 shkurt 2025 deri më 4 maj 2025″.
Kjo do të thotë se kampioni në fuqi i Australian dhe US Open do të jetë në gjendje të kthehet për turneun e tij në shtëpi, Italian Open në Romë, përpara French Open që fillon në fund të muajit maj.
Fillimisht, akuza ndaj Sinner për doping u hodh poshtë në gusht të vitit të kaluar nga një gjykatë e pavarur, e cila vendosi se ai nuk ishte fajtor.
Paneli gjyqësor pranoi shpjegimin e Sinner se suplementi “clostebol” gjendej në trupin e tij si rezultat i një masazhi nga fizioterapisti i tij, i cili kishte përdorur një sprej, të quajtur Trofodermin, që përmbante steroidin për të trajtuar një prerje në gishtin e tij.
Sinner më pas hoqi nga puna fizioterapistin, Giacomo Naldi dhe trajnerin e tij Umberto Ferrara, i cili i kishte dhënë Naldit me sprejin Trofodermin pa recetë.
Megjithëse Sinner-it humbi 400 pikët e tij të renditjes nga Indian Wells dhe paratë e çmimeve, ai ishte në gjendje të vazhdonte të konkurronte.
Ai fitoi US Open në shtator, duke ia shtuar titullit Australian Open që fitoi në fillim të vitit dhe e mbrojti me sukses muajin e kaluar.
WADA argumentoi se gjetja e ‘pa faj apo neglizhencë’ ishte e pasaktë. Ajo apeloi kundër vendimit në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) dhe kërkoi pezullim një deri në dy vite për tenistin italian.
Që në fillim Sinner ka pretenduar së është i pafajshëm, duke argumentuar se sasia e suplementit të ndaluar të gjetur në trupin e tij ishte më pak se një e miliarda e gramit. “Unë nuk kam bërë asgjë të keqe,” tha ai në janar.
Por të shtunën, Sinner tha në një deklaratë: “Kam pranuar ofertën e WADA-s për të zgjidhur këto procedura në bazë të një sanksioni tre-mujor.”
“Unë e kam pranuar gjithmonë që jam përgjegjës për ekipin tim dhe e kuptoj se rregullat strikte të WADA-s janë një mbrojtje e rëndësishme për sportin që dua”, shtoi ai.
Top Channel