![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2024/11/moti-2_sd-800x450.jpg)
Drejtoresha e Spitalit të Dibrës, Irini Shehu është shkarkuar nga detyra.
Vendimi erdhi pas denoncimit se Shehu ka dhunuar shefin e financës pas një konflikti mes tyre. Mësohet se shkarkimi i është komunikuar nga personat e deleguar nga Ministria e Shëndetësisë, ndërsa drejtoresha nuk ka qenë prezente.
E gjithë ngjarja ka nisur pas një mbledhje të stafit të spitalit rajonal të Dibrës, ku drejtoresha është përplasur verbalisht me shefin e financës ku ka pasur fyerje mes tyre.
37-vjeçari, Shaban Uklala, ka kallëzuar në polici se është goditur me send të fortë në fytyrë.
“Shtetasi me iniciale Sh.U., 37 vjeç, banues në Peshkopi ka kallëzuar se në ambientet e spitalit pas një konflikti verbal, është goditur me një send të fortë në fytyrë nga I.Sh., 44 vjeçe, banuese në Peshkopi, me detyrë Drejtoreshë e Spitalit Rajonal Dibër. Në përfundim të veprimeve të para hetimore, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen I.Sh., e dyshuar se ka kryer veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje“, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel