![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/48787878-800x450.jpg)
Gjatë seancës maratonë të një ditë më parë në GJKKO, Erion Veliaj është përplasur me prokurorin e çështjes së tij Ols Dado.
Në seancë Veliaj ka thënë se një nga argumentet e SPAK për ta lidhur atë me një pasuri ishte se lodrat e djalit të tij ndodheshin në shtëpinë e gjyshes së fëmijës, duke e cilësuar këtë një absurditet.
“Nuk më është shpjeguar edhe sot pse jam i arrestuar, unë një kryetar bashkie që jam votuar nga populli i Tiranës, kam bërë detyrë time. I kam hyrë në hak familjes se kam punuar edhe të shtunë edhe të diel, edhe për festa kam punuar. Por mallkuar qoftë ai që punon në këtë vend, se bëhet objekt sulmi dhe gjendet në këtë situatë qe jam unë sot. Vila në Qerret nuk është e jona, është e natyrshme që aty do gjenden lodrat e fëmijës tim. Bashkëshortja ime është fëmijë i vetëm, nuk e di pse duket kaq e panatyrshme që të jenë lodrat e fëmijës tek shtëpia e gjyshes”, deklaroi ai.
Veliaj ka thënë se shifrat që SPAK ka publikuar në media janë të pavërteta dhe se ata kanë gërmuar në gjithë jetën e gruas së tij dhe të vetën, duke prodhuar tabela dhe shifra që nuk i përgjigjen realitetit.
“Familja e Ajolës është një familje e vjetër me emër në shoqëri, që ka pasur bizneset e saj që nga viti 1995 dhe nuk mund të abuzohet me të ardhurat e një familjeje dhe shpenzimet e saj, duke ia faturuar vajzës dhe dhëndrit”, tha Veliaj.
Duke folur për bashkëpunimin me SPAK, Veliaj tha se ai ka bashkëpunuar me SPAK dhe BKH deri në momentin e fundit.
“Kam bashkëpunuar edhe kur erdhën të marrin shkresa në Bashki natën e Vitit të Ri. Por kur më prekni familjen, aty sigurisht që acarohem”, tha ai.
Ai iu referua edhe disa mesazheve të shkëmbyera me një prej agjentëve të BKH, i cili i kishte kërkuar me SMS që gruaja e tij të paraqitej në SPAK. Në këtë moment, prokurori Ols Dado, duke ngritur zërin, i është drejtuar Veliajt me fjalët: Je patologjik!
Pas kësaj, Veliaj ka thënë: Ju e keni ndarë mendjen çfarë do bëni dhe e gjithë kjo seancë është formale. Fakti që gjyqtari po ju pyet në sytë tanë se ç’masë duhet të marrë, tregon qartë standardin e këtij gjykimi.
Top Channel