![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/bbbbb_sd-1-1-800x450.jpg)
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS ku u fol për arrestimin e krebashkiakut Erion Veliaj dhe përfshirjen e deputetes Klotilda Bushka në dosje, kryesocialisti Edi Rama u shpreh i gatshëm që edhe ai të dëshmojë për ato që di.
Rama u shpreh i bindur se njerëz të artit janë intimiduar për të dëshmuar para drejtësisë, dhe për këtë, ai thotë se ka takuar personalisht disa prej tyre.
Madje, një artist i njohur pretendon Rama, ndodhet në gjendje të rënduar psikologjikë dhe për këtë, kryeministri tha se “i ka ardhur turp” që ndihet i pafuqishëm ndaj këtij rasti.
“Provat janë ato që e ndajnë këtë punë. Nga ana tjetër, çfarë Klotilda tha është beteja e saj, nuk është beteja jonë. Çfarë është beteja jonë, janë standarde. Unë për shembull jam dëshmitar dhe jam gati të dëshmoj, janë intimiduar njerëz. I kam takuar unë, kam folur unë. Dhe pse? Pa asnjë lidhje me Erionin. Për shkak se janë njerëz të botë së artit dhe të kulturës dhe dikush më ka thënë që filani është në gjendje të rëndë psikologjike, një artist, se e kanë marrë. E kam kërkuar. Nuk e kisha takuar asnjëherë. E njoh kush është, është një personalitet. E kam kërkuar. Nuk kishte telefon. Ia kishin marrë telefonin dhe s’ia kishin kthyer më. Ku jemi këtu ne? Dhe e kam marrë me telefonin e gruas. Dhe kam dëgjuar nga ana tjetër e telefonit një grua që vetëm qante. Dhe pastaj jam takuar me personin. Po ju them që mua personalisht më ka ardhur turp, mua, kur kam menduar që sot unë jam kryeministër dhe ndihem i pafuqishëm karshi një rasti, karshi një personi që më ka kujtuar veten time. Unë pak më i prapë se ai se nuk u shokova psikologjikisht kur me morën atëherë dhe më çuan këtu tek Mylsym Keta, çfarë është ajo, te Brraka se ju të represionit i dini këto pikat. Edhe “jo këtu, jo po aty, jo po familja, jo po nderi”. Ndërkohë që ma thoni dot ju mua, nuk figuron ai se ndaj po flas se po të ishte në emra nuk do ta përmendja, nuk figuron fare, s’ka lidhje. Nuk është fare, është një person që nuk e di për çfarë është thirrur madje, për arsye të aktiviteteve kulturore. Mund të më thoni ju mua si mund të merret në rrugë një baba që është duke çuar fëmijën në kopsht me karrocë? Çfarë është kjo? Si mund të merret në rrugë? Një baba që po çon fëmijën në kopsht me karrocë. Hajde me ne! Ku jemi këtu ne?
I vetmi lajm ngushëllues është që pavarësia është e plotë, mirëpo këto janë shenja që abuzimi me pavarësinë është real. Si mund të merret një prind me fëmijën 3 vjeç në karrocë në rrugë dhe t’i thuhet hajde me ne? Në mëngjes. Çfarë është kjo? Si mund t’i tregohet dikujt nga dritarja: – E shikon atë godinë atje, e di çfarë është ajo? Nga ta dijë ai? Ai është profesor, ai është njeri i artit, ai është njeri që ka nderuar Shqipërinë, nga ta dijë ai? “Është burgu ai! Atje mund të përfundosh edhe mendo për djalin tre vjeç”. Ku jemi këtu ne? Për çfarë është nevoja për këtë dhe tani vijmë tek standardet, si ka mundësi Ulsi, ministër i drejtësisë dhe të gjithë ju njerëzit e drejtësisë këtu, dhe ti kryetar i komisionit të financave që kjo shumicë qeverisëse ka miratuar fonde. Dy fonde janë në buxhetin e shtetit shqiptar që janë komplet jashtë gjithë trajektores normale: Fondi i mbrojtjes për shkak të detyrimeve të NATO-s dhe fondi i drejtësisë“-u shpreh ndër të tjera kryeministri Edi Rama.
Top Channel