Hetim ndaj ambasadorit francez në Afrikën Qendrore, dyshohet se priti rreth 30 gra në rezidencën zyrtare
Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessant, ka paralajmëruar masa të reja dhe të ashpra ekonomike ndaj Iranit, duke deklaruar se Teherani mund të përballet me një izolim ekonomik “që bota nuk e ka parë kurrë më parë”.
Në një intervistë për rrjetin amerikan Newsmax, Bessant tha se Uashingtoni po përgatit masa të reja, të cilat pritet të bëhen publike javën e ardhshme. Sipas tij, këto masa do të shoqërohen me vazhdimin e bllokadës së Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit.
“Do të jetë një kombinim i izolimit ekonomik që bota nuk e ka parë kurrë më parë dhe vazhdimi i bllokadës së Ngushticës së Hormuzit”, deklaroi Bessant, duke shtuar se kjo do të pengonte hyrjen dhe daljen e mallrave nga portet iraniane.
Sekretari i Thesarit nuk dha detaje mbi natyrën e masave të reja, por paralajmëroi se më shumë njoftime do të bëhen gjatë javës së ardhshme.
Bessant e përshkroi strategjinë amerikane si një kombinim të presionit ekonomik dhe bllokadës fizike, duke e krahasuar atë me masat e ndërmarra ndaj Kubës dhe Venezuelës. Ai pretendoi se Venezuela ishte shembur ekonomikisht menjëherë pas vendosjes së bllokadës.
Ndërkohë, zëvendëspresidenti amerikan J.D. Vance ka deklaruar se një nga objektivat kryesorë të SHBA-së në konfliktin me Iranin është mbajtja e çmimeve të naftës dhe benzinës të ulëta për konsumatorët amerikanë. Si objektiv të dytë, ai ka përmendur parandalimin e pajisjes së Iranit me armë bërthamore.
Qëndrimi i fundit i administratës amerikane vjen në një kohë kur negociatat për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit duket se kanë ngecur. Më 4 gusht, Bessant kishte deklaruar se Uashingtoni mund të arrinte një marrëveshje me Teheranin “sot ose nesër” për rihapjen e ngushticës, deklaratë që ndikoi në uljen e çmimeve të naftës dhe në rritjen e tregjeve financiare.
Tashmë, me rrugën diplomatike që duket e bllokuar dhe të dyja palët që mbajnë qëndrimet e tyre për rihapjen e Hormuzit, Uashingtoni po rrit presionin ekonomik ndaj Iranit, ndërsa kërcënimi për masa të reja pritet të konkretizohet javën e ardhshme.
Top Channel