![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/44544545454-800x450.jpg)
Kush do e drejtojë Bashkinë e Tiranës? Kjo është pyetja më e lakuar e orëve të fundit me arrestimin e Erion Veliajt.
Gazetarja e Top Channel, Doris Sallaku ka mësuar se pritet që në dy tre ditët në vijim, Erion Veliaj t’i delegojë firmën e kryetarit një prej 5 nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës, i cili do të marrë në dorë drejtimin e punëve të kryeqytetit.
Në këtë kuadër, kryeministri Edi Rama u ndal për pak minuta në bashkinë e Tiranës, ku u takua me nënkryetarët për të dikskutuar çështjen e vijimësisë së punëve.
Me ndryshimet më të fundit që janë bërë në strukturën e brendshme të Bashkisë së Tiranës para një jave, pritet që një prej emrave për t’i deleguar firmën e Erion Veliajt, të përzgjidhet mes: Anuela Ristanit, Andi Seferit, Frida Pashako, Keti Luarasit dhe Jonida Halilit.
Sakaq me shumicën e detyrave administrative do të merret Alban Dokushi, nën cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës. Deri para një jave, Dokushi mbante postin e Drejtorit të Përgjithshëm Juridik në bashki. Ky i fundit u pa sot dhe në bllokun e Sigurisë ku mbahet kryetari i bashkisë Erion Veliaj.
Zhvillimet më të fundit në bashki përkojnë me 105 vjetorin e Tiranës si kryeqytet. Por kjo nuk i ka ndalur aktivitet e planifikuara. Pritja zyrtare do të mbahet mbrëmjen e sotme në Pallatin e Brigdave, ku pritet prezenca e trupave diplomatike, personaliteteve e artistëve shqiptar. Ndryshimi i vetëm, do të jetë mosprezenca e Erion Veliajt.
Top Channel