“Kanadaja të bëhet shteti i 51 i SHBA-ve!”/ Trudeau: Kërcënimet e Trump për aneksimin janë të vërteta

08/02/2025 09:33

Kryeministri kanadez Justin Trudeau deklaroi se kërcënimi i presidentit amerikan, Donald Trump për aneksimin e Kanadasë është “e vërtetë”.

Trudeau e bëri këtë koment gjatë mbledhjes së biznesit të Samitit Ekonomik Kanada-SHBA në Toronto.

“Trump e di se mënyra më e lehtë për ta bërë këtë (aneksimin) është ‘thithja’ e vendit tonë dhe kjo është një gjë reale.”, tha kryeministri kanadez.

Në një intervistë për CNN para inaugurimit të Trump, Trudeau tha se komentet e republikanit për kthimin e Kanadasë në shtetin e 51-të të Shteteve të Bashkuara janë vetëm një shpërqendrim nga pasojat e kërcënimeve tarifore. Më tej ai theksoi se nuk do të ndodhë kurrë që Kanadaja të bëhet shteti i 51-të i SHBA-ve.

“Kanadezët janë tepër krenarë që janë kanadezë. Një nga mënyrat se si e përkufizojmë veten më lehtë është se ne nuk jemi amerikanë. Presidenti Trump, i cili është një negociator shumë i aftë, po i bën njerëzit të shpërqendrohen disi nga kjo bisedë, për të hequr nga biseda tarifat rreth 25% për naftën dhe gazin, energjinë elektrike, çelikun, aluminin, lëndën drusore dhe betonin”, ka thënë ndër të tjera kryeministri kanadez.

Trump vazhdoi me kërcënimet e tij për të vendosur tarifa ndaj Kanadasë javën e kaluar, duke njoftuar një tarifë të re prej 25% për shumicën e mallrave kanadeze të importuara në SHBA. Megjithatë, pasi Trudeau mori zotimet për të forcuar sigurinë në kufirin e Kanadasë, Trump njoftoi të hënën një pauzë të tarifave të propozuara për të paktën një muaj.

Pas një telefonate me Trump, Trudeau tha se Kanadaja do të zbatonte planin e saj kufitar prej 1.3 miliardë dollarësh të shpallur më parë, si dhe do të angazhohej për emërimin e një “cari fentanyl” dhe listimin e karteleve si terroristë.

 

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta