Fiks Fare/ Gënjeshtrat e politikanëve për Qukës-Qafë Plloçë, rruga që “ha” vetëm para dhe nuk përfundon kurrë!

06/02/2025 21:14

Në tetor të vitit 2020, Fiks Fare investigoi dhënien pafund të fondeve për rrugën Qukës – Qafë Plloçë, e cila nisi në vitin 2009 dhe ende s’ka përfunduar.

Në atë kohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar tha se fondi u shtua me 73.6 milionë USD nga kostoja fillestare prej 150 milionë USD.

54 muaj pas denoncimit të parë, Fiksi u kthye sërish në atë segment. Për çudi, ende s’ka përfunduar. Jo vetëm që s’është hapur, por sërish vijojnë të hidhen para’. ARRSH hapi një tender në fund të vitit 2024 për punimet në lotin 0. Sipas saj, paratë e hedhur në vitin 2009 nuk e përfunduan rrugën, pasi kishte projekt gabim. U hodhën 3.5 milionë euro, teksa fituese doli firma “Albavia” e cila është fituese e një nga loteve të kësaj rruge.

2020: Rruga që vetëm “ha” para!

Në datën 14 tetor të vitit 2020, Fiks Fare denoncoi shtimin e fondeve të aksit rrugor Qukës – Qafë Plloçë, një segment prej vetëm 40 kilometrash. Rruga u premtua në vitin 2009 në prag të zgjedhjeve të atij viti parlamentare nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili do të deklaronte se “rikthejmë rrugën e lashtë Egnatia, rrugë në të cilën, në shekuj e shekuj, karvanët e shqiptarëve udhëtuan për tregti e qëllime të tjera“. Gjatë mandatit të tij të dytë 4-vjeçar, u shtruan vetëm 3 kilometra rrugë të aksit Qukës-Qafë Plloçë.

Por, edhe gjatë mandateve të qeverisë aktuale, rruga nuk përfundoi, pasi projekti ka ndryshuar disa herë. Përgjatë shumë viteve, mazhoranca aktuale ka dhënë disa afate kur do të përfundojë. Në 2017, 2018, 2019, 2020 por në terren kishte shumë punime. Në tetor 2016, kryeministri Edi Rama tha se “ky është një nga projektet e Saliut me probleme të mëdha inxhinierike”. Dy vite më vonë, në muajin janar 2018, ministrat e atëhershëm të Financave dhe Infrastrukturës, Ahmetaj dhe Gjiknuri, shkuan në këtë segment rrugor dhe “premtuan” se “rruga përfundon në vitin 2019. Projekte me shumë probleme, në terren shumë të vështirë”.

“Fiks Fare” publikoi në vitin 2020 një raport nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, ku thuhej se “kostoja e përgjithshme e vlerësuar e projektit është 152 milionë USD”. Por, ndryshimet e projekteve, kanë sjellë fryrjen e kostove në plot 73.6 milionë USD. Pra, më shumë se gjysma e vlerës së projektit fillestar. Në total, kjo rrugë do t’i kushtojë shqiptarëve plot 225.6 milionë USD!

Fiksi analizoi të tre lotet, ku secili ka marrë fonde shtesë. Punonjësit e firmave tha se me këto ritme duhen edhe 3 vite që të përfundojë, pasi qeveria nuk jep lekë.

“Nëse jepen lekët, rruga përfundon për 6 muaj”.

2025: Rruga e pambaruar, fonde shtesë …

54 muaj pas denoncimit të parë, Fiksi shkoi sërish në atë rrugë, pasi ARRSH-ja hapi një tjetër tender me objekt “plotësim i punimeve në segmentin rrugor Qukës – Qafë Plloçë”. Sipas dokumenteve, fondi ishte 335 milionë lekë, ose rreth 3.5 milionë euro. Në relacionet shpjeguese, ARRSH thotë se ka bërë një verifikim të punimeve të mbetura në Lotin 0″.

Sipas tyre, ky aks ka filluar të ndërtohet në qershor të vitit 2009 dhe kanë përfunduar në dhjetor të vitit 2014. “Projekti i këtij segmenti rrugor është paraqitur pranë ARRSH në vitin 2008 nga Komuna Qukës dhe është hartuar nga firma projektuese ‘SPHAERA’. Gjatë zbatimit të punimeve ndodhi një rrëshqitje masive ku përveç fshatit që ishte në krahun e majtë të rrugës u dëmtua në një shkallë të konsiderueshme dhe trupi i rrugës, muret pritës prej betoni, veprat e artit si tombino etj. Si rezultat i këtij fenomeni të rrëshqitjes u bë spostimi i aksit në një gjatësi rreth 800ml, i cili kishte një kosto shtesë prej 20% të vlerës së kontratës” thuhet në dokumente.

ARRSH shkruan se, edhe me fondet shtesë, objekti nuk përfundoi 100% dhe nuk u vendos në shfrytëzim, pasi mbetën pa u realizuar shtresat rrugore, sinjalistika horizontale, vertikale, siguria rrugore, disa elemente të urës, kanalet, fibra optike.

Në janar 2025, ARRSH shpalli fituesin e këtyre punëve shtesë. Fituese e kësaj procedure doli kompania “ALBAVIA”. Oferta më e ulët në këtë tender ishte me vlerë 202 milionë lekë, teksa firma fituese “ALBAVIA” ofroi 246 milionë lekë, ose 44 milionë më shumë se oferta më e ulët. Por, dy firmat që afruan më pak u s’kualifikuan nga ARRSH.

Sipas vetë ARRSH-së, fituesi i këtyre punimeve shtesë, firma ALBAVIA, ka një kontratë me ARRSH-në për ndërtimin e lotit 1, që ka filluar në vitin 2014 dhe ende s’ka përfunduar. Firma duhet ta bënte lotin 1 në muajin qershor 2018.

Sipas një raporti të KLSH-së, loti 1 mori 22.6 milionë USD më shumë se projekti fillestar. “Vlera e kontratës për lotin 1, ka qenë 38 milionë USD, teksa është bërë 60 milionë USD, me një shtesë referuar kontratës bazë me vlerë mbi 22.6 milionë USD, ose 59 % më e lartë se parashikimi” thuhej në raport.

Pra, nga njëra anë firmës i shtohen fondet për lotin që ka në ndërtim dhe nga ana tjetër del fituese e një tenderi të ri sërish për Qukës – Qafë Plloçë.

Fondet shtohen, politikanët “gënjejnë” për hapjen!

Por, sa ka kushtuar rrugës Qukës – Qafë Plloçë dhe kur do të hapet? Aktualisht vlerat kanë ndryshuar. Kostoja fillestare është bërë 158.5 milionë USD, kostoja me shtesa ka shkuar në 240 milionë USD”.

Fiksi i dërgoi disa pyetje Autoritetit Rrugor Shqiptar për koston fillestare, shtesat e kontratave, tenderët e rinj dhe mbi të gjitha se kur do të hapet për qarkullim. Në këtë përgjigje, Autoriteti thotë se seksionet 1&2, të kësaj rruge janë financuar nga financuar nga IsDB, (Banka Islamike për Zhvillim) dhe segmenti nr.3, financuar nga Fondi Saudit për Zhvillim.

Sipas saj, seksionet 1 dhe 2 kanë filluar së ndërtuari në korrik 2015 dhe seksioni 3 në mars 2017. Fondi për seksionet 1 & 2 ka qenë 108.5 milionë USD. Për segmentin nr.3 fondi limit ka qenë 50 milionë USD (në total 158.5 milionë USD).

Fiksi e pyeti ARRSH-në se përse janë ndërprerë vazhdimisht punimet dhe a është bërë studim për zonën para se të bëhej tenderi? Sipas saj, ka pasur probleme nga projekti fillestar dhe janë bërë ndryshime të mëdha. Këto ndryshime dhe negociatat me financuesit kanë sjellë zgjatje të realizimit të kontratave apo ndërprerje të punimeve.

“Projektet e para gjatë implementimit janë konstatuar në studime empirike, pra të përgjithshme, dhe jo të detajuar sidomos për veprat e artit, tunelet si dhe mbrojtjen e skarpateve. Gjurma konsistonte në zona rrëshqitëse, me nivel të lartë të ujërave nëntokësorë dhe me morfologji variabël dhe të paqëndrueshëm të terreneve malorë” thotë ARRSH. Sipas saj, realizimi fizik në seksionin 1 është 92%, dhe në seksionin 2 është 88%.

Për Segmenti nr.3 punimet janë ndërprerë në gusht 2019 për arsye të mungesës së financimit. Pas bërjes efektive të Marrëveshjes së re të kredisë punimet kanë rinisur në gusht 2023. Studimi për zonën para se të kryhej tenderi ka qenë i mangët për Segmentin nr.3. Realizimi fizik i punimeve për segmentin nr.3 është aktualisht 79%.

Fiksi e pyeti ARRSH-në se kur do hapet për kalim rruga Qukës – Qafë Plloçë? Sipas saj, seksionet 1&2 përfundojnë më 31 Maj 2025. Ndërkohë, segmenti nr.3 përfundon në korrik 2025! A do të përfundojë sërish në kohë?!

FOTO GALERI
1/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA