Në fshatin Neviçisht vetëm pak km larg Korçës këtë 14 shtator dyert e shkollës nuk u hapën.
Shkak është bërë mungesa e nxënësve. Dikur fshati gumëzhinte nga zërat e fëmijëve dhe emocionet në ditën e parë e shkollës por këtë vit nuk u dëgjuan as zërat e tyre dhe as zilja që për të vegjlit shënonte fillimin e vitit të ri shkollor. Fenomeni i shpopullimit dhe ulja e numrit të lindjeve ka lënë shenja të thella në këtë fshat i cili dikur numëronte rreth 150 familje. Tani vetëm pak prej tyre kanë mbetur dhe janë kryesisht pensionistë.
Banorët tregojnë se vitet e fundit shkollës fillore i drejtoheshin vetëm pak fëmijë por numri u ul derisa nuk mbeti asnjë nxënës. Ata pak fëmijë që mbetën vazhduan mësimin edhe vitin e kaluar por u transferuan. Tanimë nuk ka as kopësht, as shkollë, as dyqan dhe fshati është i zbrazur.
Ata pak të rinj që kanë mbetur në fshatin Neviçisht i drejtohen kryesisht qytetit të Korçës për të punuar apo për nevojat e tyre ndërsa banorët e mbetur këtu jetojnë me kujtimet e ditëve kur shkolla dhe fshati ishin plot gjallëri.
Top Channel