Kryeministri Edi Rama ka prezantuar ndihmësen e re virtuale të e-Albania, e cila paraqitet si një grua zadrimore.
Në një video të publikuar në Facebook, tregohen risitë më të fundit të e-Albania, teksa në ndihmë të qytetarëve do të jetë edhe Diella.
“MIRËMËNGJES dhe me Diellën, ndihmësen tuaj zadrimore që sapo ka dalë nga inkubatori i Inteligjencës Artificiale të AKSHI-t dhe për disa muaj do të jetë gati jo vetëm t’ju asistojë gjatë ndërveprimit tuaj me platformën e-Albania po edhe t’i kryejë shërbimet për ju me një lutje të vetme, ju uroj të diel sa më të qetë”, shkruan Rama.
Diella e e-Albania, e krijuar nëpërmjet teknologjive inovative, Azure OpenAI dhe modelet më të reja të inteligjencës artificiale nga Microsoft, lehtëson dhe përshpejton marrjen e shërbimit në platformë.
Avatari shfaqet i veshur me një nga kostumet tradicionale më të veçanta shqiptare, atë të zonës së Zadrimës.
Pas logimit në platformën e-Albania dhe shfaqjes së Asistentit Virtual, këtij të fundit mund t’i drejtoheni me një mesazh zanor për shërbimin elektronik që kërkoni të merrni. Asistenti përpunon kërkesën edhe kur qytetari ose biznesi nuk di saktësisht emërtimin e shërbimit, merr informacionin nga institucioni publik dhe jep përgjigjen në çdo moment, 24/7.
Top Channel