Meta kërkon lirinë, Dorëzohet kërkesa për Gjykatën e Lartë: Të merret parasysh precedenti Berisha

17/01/2025 12:12

Ish-presidenti Ilir Meta i është drejtuar gjykatës së lartë me kërkesën për ta liruar, pothuajse tre muaj mbasi u arrestua për akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.

Meta këmbëngul se jo vetëm nuk ka prova, nuk është i rrezikshëm dhe nuk e dëmton procesin, por që edhe po pengohet si kryetar i partisë së lirisë për zgjedhjet, raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha.

Si kartë për këtë i vjen në ndihmë edhe një vendim i gjykatës së apelit, e cila argumentoi se Berisha nuk mund të kthehet në arrest shtëpie, por të mbahet me detyrim paraqitje për shkak se drejton një parti opozitare dhe ndërkohë presidenti ka dekretuar datën e zgjedhjeve

“Arrestimi i tij është bërë për këtë shkak, pas 6 vitesh që kanë pasur aktet nëpër duar. Meta ka dhënë shpjegime të hollësishme, ka zgjedhur si mënyrë përballjen përmes shpjegimit jo shmangien.

Meta kurdo të thirret nga SPAK do paraqitet dhe do të japë shpjegime. Ne pritshmëritë i kemi nga vetja. Këtë punë kishim dhe me Berishën, ishim të bindur deri në fund deri sa u bindën…. ligjërisht Meta nuk duhet të qëndrojë në burg, pastaj nga pikëpamja e kapjes së këtyre që kam unë pas kurrizit, historia nuk është pozitive. Gjykata e Lartë duhet të tregojë integritet që deri tani nuk e ka treguar.

Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, është e njëjta rrugë që ndoqëm dhe me Berishën, do t’i drejtohemi Strasburgut nëse do të jetë e nevojshme. Pasi të lexoj vendimin do mundohem ta kuptoj dhe më pas do të vendos se çfarë do të bëj”, deklaroi avokati Gjokutaj.

Ajo që kërkon ish-presidenti është shfuqizimi i dy vendimeve, ai i shkallës së parë dhe apelit anti-korrupsion që e dërguan në paraburgimin 313 ish-funksionarin e lartë

Hetimet ndaj Metës dhe tre të tjerëve përfshijnë “Cez Dia” për mbledhjen e borxheve, një kontratë lobimi në SHBA, shpenzime për trajtime mjekësore dhe dyshimet për të favorizuar një kompani në fushën e telekomunikacionit.

Për këtë çështje, është nën hetim edhe bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi.

Edhe Kryemadhi ka paralajmëruar se do ta përdorë precedentin Berisha për masën e detyrimit me paraqitje, mbasi të lexojë se çfarë ka shkruar kushtetuesja kur i dha pjesërisht të drejtë ish-kryeministrit duke i hequr ndalimin për të dalë jashtë Shqipërisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA