Shqipëria po hedh hapa të shpejtë drejt një ekonomie ku pagesat kryhen gjithnjë e më pak me para në dorë dhe më shumë në mënyrë digjitale.
Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se kalimi drejt një ekonomie plotësisht “cashless” kërkon jo vetëm teknologji moderne, por edhe ndryshime në kulturën financiare, infrastrukturën dhe kuadrin ligjor.
Në workshop-in e organizuar nga Akademia e Shkencave, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paraqiti nëpërmjet shifrave rezultatet e deritanishme të ecurisë së vendit tonë në këtë drejtim.
“Numri i pagesave digjitale për frymë ka arritur në 29 në vit, nga vetëm 5 pagesa një dekadë më parë. Pagesat elektronike po rriten me rreth 25% çdo vit dhe tashmë përbëjnë pjesën më të madhe të pagesave të regjistruara në sistemet kombëtare. Ndërkohë, numri i kartave bankare në qarkullim ka arritur në 1.5 milionë dhe rrjeti i terminaleve POS po zgjerohet vazhdimisht në të gjithë vendin. Prioritet i infrastrukturës është implementimi i platformës kombëtare të pagesave të menjëhershme, e ndërtuar mbi modelin TIPS të eurozonës”, u shpreh guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.
Por përtej digjitalizimit, ekspertët e fushës kanë të tjera sugjerime në minimizimin e cash-it në ekonomi përmes ndryshimeve në strukturën e kartëmonedhave në qarkullim.
“E para punës, të heqim dorë nga monedhat me denominime. Nuk ka pse të ketë kartëmonedha të denominuara 10 mijë lekë kur paga mesatare është 70 mijë lekë. Siç hoqi dorë Europa nga 500 euro, si Rezerva Federale nga dollari, dhe të shkojmë me denominime me shkallë të vogël. Nëse shkojmë drejt këtyre, e pamundësojmë nga pikëpamja logjistike përdorimin e parasë fizike”, tha eksperti i ekonomisë, Selman Xhepa.
Profesori Adrian Civici solli në vëmendje disa nga përvojat ndërkombëtare që janë shumë pranë zhdukjes së parasë fizike.
“Suedia kryeson renditjen globale, ku rreth 99 për qind e transaksioneve kryhen në mënyrë digjitale. Pas saj renditen Norvegjia, Mbretëria e Bashkuar, Koreja e Jugut dhe Kenia, vende që kanë investuar prej vitesh në sisteme moderne pagesash dhe në përfshirjen financiare të qytetarëve”, tha Adrian Civici.
Megjithëse Shqipëria mbetet larg këtyre niveleve, Banka e Shqipërisë konfirmon se ritmi i rritjes së pagesave elektronike tregon se tranzicioni drejt një ekonomie me më pak para fizike ka nisur tashmë.
Top Channel