Mësuesit që do deklarojnë pagën, ekspertët e arsimit japin këshilla se si të shmanget gjoba për mosdeklarim

14/01/2025 19:57

Me ndryshimet ligjore tatimore rritet numri i personave që duhet të kryejnë deklaratën e të ardhurave personale për vitin 2024(DIVA-n), pasi fasha ka zbritur nga 2 milion lek në vit në 1.2 milion.

Për të shmangur gjobat që konfuzion arsimtarët vitin e kaluar; eksperti Fiqiri Çifliku tregon grupin e punonjësve në sistemin arsimor që kanë detyrimin e vetëdeklarimit të parave me afat të dorëzimit deri më 31 mars.

“Të gjithë mësuesit dhe punonjësit në arsim, që kanë një pagë bruto mbi 1 milion lek të vjetra, 100 mijë lekë në muaj apo shuma 1.2 milion lekë në vit, duhet të plotësojnë “Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale”  në e-filling pranë tatimeve. Në një parashikim që unë kam bërë të gjithë punonjësit e zyrave vendore arsimore, Drejtorive Rajonale, Agjencisë Kombëtare të Arsimit, por edhe drejtuesit e shkollave, nëndrejtorët, mësuesit e arsimit të mesëm të lartë, mësuesit e arsimit të mesëm të ulët që kanë vjetërsi  25 vite kanë detyrimin e vetëdeklarimit, kështu që duhet të bëjnë kujdes”, shprehet eksperti i arsimit Fiqiri Çifliku.

Rroga e vitit të shkuar është vendimtare për të caktuar nëse je subjekt i vetëdeklarimit apo jo; por gjithashtu ndikues është edhe dy punësimi apo ata arsimtarë që përfitojnë të ardhura shtesë mbi 50 mijë lek.

“Detyrim taksativ kanë edhe të dypunësuarit. Mësuesit gjatë vitit lëvizin përmes lëvizjeve paralele nga njëra zyrë në një zyrë tjetër arsimore. Duke qenë se ato janë institucione të pavarura në kuptimin e veprimtarisë financiare; ata dalin në sistemin tatimor të dypunësuar. Marrim shembull në një zyrë në Lushnjë e në shtator ka ardhur në Tiranë. Në këtë moment ai ka detyrim të deklarimit të të ardhurave për të evituar gjobën që sistemi tatimor gjeneron automatikisht”, shton ai.

Nëse veç rrogës nuk ka të ardhura të tjera, në deklaratë nuk  del asnjë pagesë për të bërë sepse tatimi është mbajtur në momentin kur ke marr pagën.

“Ky deklarim bëhet për rastet kur individi ka marr të ardhura për të cilat nuk është mbajtur tatimi në burim. P.sh. qiratë që ke përfituar nga dhënia e banesës, apo një investim në kompani ku nuk është mbajtur tatimi që duhet ti deklarosh”, përfundon Çifliku.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA