Katër anglezë fajtorë për vrasjen e shqiptarit nga Kopliku, mesazhet në telefonin e viktimës zbuluan përfshirjen në trafikun e drogës

14/01/2025 20:50

Katër burra janë shpallur fajtorë për vrasjen e një shqiptari, i cili u godit me thikë pasi u ndalua me forcë në lindje të Londrës.

Muhammad Saqib Khan, 23, nga Enfield, dhe Muhammad Samiyul Miah, 18, nga Manor Park, u dënuan të dy për vrasjen e 26-vjeçarit Anselam Senaj pas gjyqit në Old Bailey.

Gjithashtu u dënuan edhe Zain Ali, 21 vjeç dhe Ibrahim Naim, 18 vjeç, të dy nga East Ham, sipas BBC.

Në gjyq u tha se Senaj po udhëtonte në sediljen e pasme të një taksie në Victoria Avenue në Newham më 11 nëntor 2023 kur automjeti u ndalua nga një makinë tjetër me persona të maskuar.

Gjashtë persona po udhëtonin brenda makinës, një Mitsubishi ngjyrë argjendi, dhe katër prej tyre dolën, ku tre prej tyre rrethuan taksinë dhe sulmuan viktimën ndërsa ai ishte ende në vendin e tij.

Burrat mbanin maska, doreza dhe veshje të zeza ndërsa dy mbanin thika që ishin deri në 61 cm të gjata, u tha në gjyq.

Një nga sulmuesit goditi me thikë Senajn në gjoks dhe megjithëse u thirrën shërbimet e urgjencës, ai vdiq në vendngjarje.

Prokurorja Alexandra Healy KC tha: “Duket nga droga e gjetur më pas te  Senaj dhe mesazhet e marra nga telefoni i tij se ai ishte i përfshirë në tregtimin e drogës.

“Kur Senaj pa Mitsubishin që po vinte drejt tij, ai e kuptoi qartë se ishte në rrezik dhe i tha shoferit të taksisë se pasagjerët do ta vrisnin. Fatkeqësisht, ai kishte absolutisht të drejtë”.

Prokuroria pretendoi se Khan shkaktoi plagën fatale me thikë dhe se Miah dhe Ali ishin dy burrat e tjerë që sulmuan taksinë.

Khan mohoi të ishte i pranishëm në vendin e vrasjes, ndërsa Naim pranoi të ishte shoferi i makinës Mitsubishi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA