10 persona u vranë në një krim masiv në Cetinje të Malit të Zi, ndërsa në Qendrën Klinike në Podgoricë katër persona po luftojnë për jetën, njoftoi ministri i Brendshëm, Danilo Saranoviç.
Të gjitha njësitë policore, si dhe anëtarët e Njësisë Speciale të Hetimit, janë në kërkim prej orësh për të dyshuarin Aco Martinoviç.
Martinoviç e nisi masakrën në tavernën “Velestovo”, pranë Qendrës Sportive. Pas krimit në atë tavernë, ai vazhdoi me aktin e tij të përgjakshëm.
Media vendase“Vijesti” tha se fillimisht një sherr shpërtheu në lokal, pas së cilës personi i shpallur në kërkim nxori një armë dhe qëlloi.
Drejtoria e Policisë u bëri thirrje qytetarëve të Cetinjes që të qëndrojnë të qetë dhe të mos largohen nga banesat e tyre, ndërsa të gjitha njësitë policore të disponueshme ndodhen në terren dhe po punojnë për të vënë situatën nën kontroll dhe për të ndjekur penalisht autorët.
“Informojmë publikun se ky është një incident i izoluar dhe nuk është rezultat i një përplasjeje midis grupeve kriminale të organizuara me rrezik të lartë. Për të zgjidhur këtë situatë krize, njësitë speciale të policisë janë dërguar në terren”, thuhet në deklaratën e policisë.
Drejtori i Administratës së Policisë, Llazar Shqepanoviç tha se ai ka vrarë të paktën dhjetë persona në katër lokacione.
Ai ka thënë se Martinoviç më herët ka qenë duke pirë në tavernën “Velestovo”, afër Qendrës Sportive.
Shqepanoviç tha se Martinoviçi kishte pirë në atë ndërtesë gjatë gjithë ditës, pas së cilës ai shkoi në shtëpi dhe mori një armë.
“Është një fytyrë e rrezikshme, e pamatur, brutale…”, tha ai.
Ai shtoi se në të dhënat zyrtare, Martinoviç nuk ka armë në posedim.
Ministri i Punëve të Brendshme Danilo Sharanoviq tha se zona ku ndodhet Martinoviçi është “ngushtuar” dhe se është e rrezikshme sepse është i armatosur.
Top Channel