“Top Tech” eksploron 20 teknologjitë më inovative që kanë pasur ndikimin më të madh gjatë këtij viti. 

1. Inteligjenca Artificiale (AI)

Inteligjenca Artificiale na ka ndihmuar të gjithëve këtë vit. OpenAI solli modelin o1 dhe GPT-4, që jo vetëm arsyeton më mirë, por nuk “haluçinon” më. Google, nga ana tjetër, erdhi me Gemini – më shumë shpejtësi, më pak gabime. Tani AI s’është thjesht “cool”; është bërë shoku yt më i zgjuar dhe që di gjithçka.

2. Kompjuterimi Kuantike

Kompjuterat kuantik në 2024 kanë shpërthyer si fishekzjarret për Vitin e Ri! Google prezantoi çipin “Willow”, i cili në pesë minuta zgjidhi probleme që një kompjuter normal do t’i merrte 10 bilion vite! Po flasim për numra që as matematicienët nuk duan t’i llogarisin. Dhe Microsoft bashkë me Quantinuum kanë bërë magji për të korrigjuar gabimet kuantike – tani është më afër përdorimit praktik. Nëse mendonim që kompjuterat normalë ishin të zgjuar, këta kuantikët duket sikur kanë kaluar në “god mode”.

3. Realiteti i Shtuar (AR)

Këtë vit gjithashtu, AR ka shpërthyer si një party në metaverse! Meta prezantoi Ray-Ban Meta, syzet që të bëjnë të ndihesh si një spiun high-tech: bëjnë foto, telefonata dhe kanë asistent virtual. Ndërkohë, Apple me Vision Pro ka sjellë një përvojë AR të jashtëzakonshme, duke të futur në një botë dixhitale si në filma sci-fi. Kjo teknologji po ndryshon mënyrën si punojmë dhe argëtohemi – nga lojërat deri te punët e përditshme. Me AR që po bëhet gjithnjë e më i aksesueshëm, duket se së shpejti çdo gjë do të ketë një “shtresë” virtuale mbi të. Bota s’do jetë kurrë si më parë!

4. Mësimi i Makinerive dhe AI

Tani kemi machine learning dhe AI që janë bërë të pandashëm! Modelet gjeneruese si DALL-E krijojnë vepra të nivelit të artistëve profesionistë. Ndërkohë, AI ndihmon në përmirësimin e diagnozave mjekësore, menaxhimin financiar dhe madje edhe sigurinë në makinat autonome. AI po bëhet më i saktë, duke mësuar nga gabimet dhe duke u adaptuar. Përdoruesit tashmë po përfitojnë nga zgjidhje të personalizuara, duke kursyer kohë dhe duke rritur efikasitetin. Teknologjia po kalon kufijtë e imagjinatës dhe po transformon çdo aspekt të jetës sonë!

5. Realiteti i Zgjeruar (XR)

Tjetër në 2024-ën, Realiteti i zgjeruar ka bërë atë që bën çdo superteknologji: ka bashkuar VR-in (Realiteti Virtual), AR-in (Realiteti i shtuar) dhe MR-in (Realiteti Miksuar) në një eksperiencë! Kompani të reja po eksperimentojnë me teknologji të kombinuara që ndihmojnë në trajnime mjekësore, ndërtim edhe argëtim. Për shembull, startup-e si Campfire XR po e çojnë projektimin dhe bashkëpunimin virtual në një nivel krejt tjetër, duke e bërë më realist dhe më efektiv. Imagjino të ndërtosh një makinë apo një ndërtesë duke përdorur vetëm një hapësirë virtuale – tani kjo është e mundur me realitetin e zgjeruar.

6. Teknologjia Mjedisore

Këtë vit teknologjia mjedisore po lëviz me shpejtësinë e erës! E ke menduar ndonjëherë që ndërtesat mund të ndihmojnë për të pastruar ajrin? Gjithashtu, po zhvillohen sisteme të avancuara për riciklimin e ujit që bëjnë të mundur përdorimin e tij edhe në zona të thata. Dhe prit pak, panelët diellorë “super inteligjentë” tani janë më të lehtë për t’u prodhuar dhe më të lirë, duke sjellë energji të pastër kudo. Teknologjia mjedisore po e shndërron planetin në një vend më të pastër dhe më të freskët – dhe të gjithë ne jemi pjesë e këtij ndryshimi!

7. Automjetet Autonome

Në botën e automjeteve këtë vit kemi pasur shumë ndryshime dhe risi. Makina te reja super të shpejta elektrike dhe makina autonome. Imagjino të hipësh në një makinë pa shofer dhe të thuash: “Më ço pak në qendër!” Waymo ka bërë pikërisht këtë – 2024-ën e kaluan duke dërguar njerëz në destinacione nëpër qytete si San Francisco me robotaksit e tyre, dhe tani Tesla ka futur në lojë edhe “robotaxi dhe robovanin e vet”.

Makinat autonome po bëhen shpëtimtarë të përditshmërisë. Imagjino të jesh vonë për punë, të hipësh në makinën tënde autonome, dhe ajo të thotë: “Mos u shqetëso, do zgjedh unë rrugën me më pak trafik!” Jo vetëm kaq, por këto makina kanë nisur të ndihmojnë njerëzit më të moshuar dhe ata me aftësi të kufizuara, duke i çuar në destinacionet e tyre pa mundim. Dhe imagjino pak këtë: një makinë autonome që bën shpërndarje pakosh!

8. Lidhja 5G

Me 5G, ndryshimet janë të dukshme kudo! Tani, shkarkimi i një filmi HD zgjat më pak sesa të pish një kafe, dhe transmetimet live janë më të shpejta se kurrë më parë. Në spitale, 5G po ndihmon kirurgët të kryejnë operacione në distancë me precizion milimetrik, sikur të jenë aty fizikisht, dhe në fabrika, robotët janë duke bashkëpunuar në kohë reale, ndërsa në bujqësi, dronat e lidhur me 5G po monitorojnë të korrat dhe po rrisin efiçencën.

Për përdoruesin e zakonshëm? Është thjesht një botë tjetër. Lojërat në celular tani skanë vonesa, dhe smart home-et po funksionojnë më mirë se kurrë. Me pak fjalë, 5G ka transformuar jetën tonë në një shfaqje teknologjike pa ndërprerje dhe ky është vetëm fillimi.

9. Interneti i Gjërave (IoT)

Në 2024-ën, IoT ka lidhur çdo pajisje të mundshme me internetin. Fik dritat nga divani, ndiz kafen nga makina, dhe po – tani edhe tharësja të njofton: “Hajde të palosësh rrobat.” Jo vetëm kaq, por dronët bujqësorë të lidhur me IoT po kujdesen për fermat më mirë se një fermer veteran duke vaditur vetëm zonat që janë të thara. Madje edhe qentë e oborrit janë futur në këtë lojë teknologjike – me gjurmues si Airtag, tani di saktësisht ku ndodhet bukuroshi vogël.

10. Blockchain dhe Kriptomonedhat

Pasi Trump fitoi zgjedhjet, Bitcoin u rrit aq shpejt sa interneti s’po e përballonte. Investitorët po festonin sikur kishin fituar lotarinë, ndërsa njerëzit-t po thonin: “Bitcoin tani është më i sigurt se një bankë.” Ndërkohë, memecoin-et u bënë trende – monedha si “ElonDuck” dhe “ChillGuy” po shpikeshin çdo ditë. Por hej, kujdes, sepse për çdo “to the moon” ka dhe një “crash landing.”

Dhe prit, një memecoin u quajt “ByeByeFiat” dhe, ironi totale, pati më shumë shitje se bileta për një koncert të Dua Lipa. Kripto tani s’është vetëm investim – është komedi, është kulturë, është një festë ku askush nuk di çfarë do të ndodhë! Dhe ndërkohë që disa bëhen milionerë, shumica përfundojnë duke i thënë vetes: “E mirë, ishte shaka e bukur, por jo aq e mirë sa për llogarinë time bankare.”

11. Siguria Kibernetike

Në 2024-ën, siguria kibernetike është bërë si një qen roje që nuk fle kurrë. Sulme si ato ndaj e-Albania na kujtuan rëndësinë e mbrojtjes dixhitale. Tani, sistemet me AI kapin hakerat para se ata të prekin tastierën. Por kujdes, sepse hakerët janë po aq kreativ – madje përdorin AI për të krijuar sulme akoma më të zgjuara. Shqipëria është përforcuar me ndihmën e SHBA-së me një strategji të re 5-vjeçare. S’po them që gjithçka është perfekte, por të paktën më mirë të na shohin hakerat si një bunker të mërzitshëm jo si një objektiv interesant!

12. Robotika e Avancuar

Robotët në 2024 janë bërë si ato shokët që bëjnë gjithçka – mbajnë pesha, ndihmojnë në operacione dhe pastrojnë. Në fabrika, “cobotët” punojnë krah për krah me njerëzit, pa ankesa dhe pushime për kafe. Madje, ka robotë që tani kërcejnë më mirë se disa nga ne në klub. Dhe imagjino këtë: një robot kirurg që bën operacione më saktë se dora e një profesionisti. Ditën punon në fabrikë, natën barist në Club. Një gjë është e sigurt: robotët janë këtu për të ndihmuar… derisa të mësojnë të luajnë futboll dhe të na mundin edhe në kalçeto!

13. Automatizimi

Në 2024-ën, automatizimi ka hyrë në çdo aspekt të jetës, duke na ndihmuar të kursejmë kohë dhe energji. Nëpër botë, shumë biznese po përdorin teknologjitë automatike për të rritur efikasitetin dhe për të shmangur gabimet njerëzore. Imagjino një robot barist që të përgatit kafenë e mëngjesit pikërisht siç e do, ndërsa ti lexon email-et. Jo vetëm kaq, por në fabrika, robotët po marrin përsipër punë të rënda dhe të përsëritura, duke lënë njerëzit të fokusohen në detyra më kreative. Me këtë ritëm, ndoshta shumë shpejt do të kemi robotë që bëjnë edhe punët e shtëpisë.

14. Cloud Gaming

Cloud Gaming në 2024 është bërë zgjidhja ideale për çdo gamer që s’do të shpenzojë një thes me para për një pajisje të fuqishme. Ka kohë që ka dalë por tani ka marrë një BOOM gjigand. Shërbime si GeForce NOW të lejojnë të luash lojërat më të fundit me grafika super-realistike nga çdo pajisje – qoftë laptop, tablet apo edhe telefon. Një lidhje e mirë interneti është gjithçka që të duhet për të përjetuar lojërat sikur po luan në një PC që kushton mijëra euro. Dhe më e mira? Mund të luash kudo, qoftë edhe në kuzhinë ndërsa pret që të bëhet sanduiçi. Me 5G dhe zhvillimet në lidhjen me internetin, cloud gaming po e çon argëtimin në një nivel krejt tjetër, duke të bërë të harrosh playstationin ose xbox.

15. Shtëpi të lehta për t’u ndërtuar

Në 2024-ën, ndërtimi i shtëpive është bërë si të luash me LEGO për të rritur – shto një tullë këtu, një mur atje, dhe voilà, ke një shtëpi të re! Teknologjitë si printimi 3D kanë sjellë një revolucion në ndërtim. Imagjino këtë: një shtëpi e printuar brenda pak javësh, rezistente ndaj motit dhe me faturë energjie më të ulët se porosia jote e fundit në fast food. Madje, tani mund të blesh një mini-shtëpi online dhe ta montosh vetë – nëse ndjek manualin, sigurisht! Me këtë ritëm, shtëpia e ëndrrave nuk është më vite larg, por javë… ose disa ditë larg.

16. Printimi 3D i organeve

Tani dëgjo pak këtë: printimi 3D nuk është më thjesht për makina për fëmijët – është për organe të vërteta! Në 2024-ën, shkencëtarët kanë arritur të printojnë pjesë komplekse si enët e gjakut, duke bërë që ëndrra për të krijuar organe funksionale të jetë më afër se kurrë. Të duhet një zemër e re? Mbase jo ende, por në të ardhmen ndoshta do të jetë thjesht çështje porosie. Kjo teknologji do të shpëtojë jetë dhe do të reduktojë listat e pritjes për transplantime. Nëse kjo nuk është një arsye për t’u ndier optimist për të ardhmen, atëherë ndoshta një veshkë me një logo të personalizuar mund të të ngazëllejë!

17. Ndihma për dëgjimin me AirPods Pro Gen 2

Diçka shumë interesante në 2024 që ka sjellë Apple me AirPods Pro Gen 2 është Ndihma për Dëgjimin. Me një përditësim të ri, këto kufje bëhen si një aparat dëgjimi high-tech: bën një test të personalizuar me iPhone dhe më pas përshtaten sikur të thonë, “Zhurmat? Mos u shqetëso, vetëm zëri i njerëzve të rëndësishëm do dëgjohet tani!” Dhe e gjithë kjo është aprovuar nga FDA – nuk janë thjesht cool, por edhe zyrtarisht të dobishme. Me këtë ritëm, ndoshta AirPods-at e ardhshëm do të na ndihmojnë të dëgjojmë edhe mendimet tona!

18. Parashikimi i fatkeqësive natyrore me Gencast

Dhe më pas kemi parashikimet e tragjedive natyrore. Kjo është si të kesh një këshilltar super inteligjent në telefonin tënd – gjithmonë i saktë dhe pa e dramatizuar situatën. Projekti Gencast përdor AI për të parashikuar përmbytjet, zjarret dhe çdo gjë tjetër që natyra ka në plan. Imagjino këtë: po shijon një kafe dhe aplikacioni të thotë: “Largohu nga banesa, se zjarri po vjen.” Jo vetëm që të shpëton jetën, por edhe kafja të shijon më e ëmbël! Gencast po përdor të dhëna nga 20 vitet e fundit.

19. Teknologjia e shtëpive të zgjuara

Tani shtëpia jote është më e zgjuar se ti. Në 2024-ën, pajisjet smart kanë bërë që çdo gjë në shtëpi të lidhet me një aplikacion – të ndezësh dritat, të ngrohësh ujin, dhe ndalosh robotin e pastrimit të mos ngatërrohet me kabllot, të gjitha nga një vend. Dhe Apple? Po planifikon një zile dere që përdor Face ID. Imagjino kur të fillojë të tallet me ty, sta hap derën se je në blacklist.

20. Robotët kirurgjikë në mjekësi

Robotët këtë vit janë bërë më të saktë se kirurgët më të mirë – dhe nuk u dridhet dora nga kafeja! Në spitale, robotët si Versius po kryejnë operacione me një precizion që të bën të thuash: “Sa mirë që jam në dorë të një roboti.” Dhe e di gjënë më të mirë? Ata nuk bëjnë as pauza për një cigare!

Por ja ku bëhet interesante: këta robotë mësojnë duke parë video me përvojë. Imagjino një robot që thotë: “I pashë tutorialet, tani jam gati për 100 operacionet e këtij muaji!” Me këtë ritëm, ndoshta së shpejti robotët do të ofrojnë edhe këshilla mjekësore: “Ndërsa operoj, do të të rekomandoja të hash më pak sheqer!”

Kështu, teknologjia po na lehtëson jetën në mënyra që dikur dukeshin të pamundura./ TAR

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA